Diabeti, “pandemia” që vret çdo ditë, mjeku në “Spitalin Hygeia”: Pse janë të rëndësishme kontrollet e rregullta

schedule09:48 - 7 Janar, 2021

schedule 09:48 - 7 Janar, 2021

Diabeti është një sëmundje kronike që prek shumë njerëz, dhe për pasojë është cilësuar si një “pandemi”. Mjeku endokrinolog në “Spitalin Hygeia” Thanas Fureraj i ftuar sot në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” tha se mosdiagnostikimi në kohë i diabetit mund të çojë në dëmtime të rënda që mund të jenë të parikuperueshme. Ai shprehu rëndësinë e diagnostikimit sa më shpejt të jetë e mundur, që mund të arrihet përmes kontrolleve të rregullta për të bërë të mundur zbulimin e sëmundjes në fazën e nisjes së dëmtimeve.

“Diabeti i fshehur nuk diagnostikohet. Mund t’i klasifikojmë në prediabet dhe diabet. E para kur ne nuk e dimë, mund të ketë shenja por nuk vihen re. Kur shifrat e sheqerit nuk janë të larta por të mjaftueshme për të dhënë të dhëna. Gjithë problemi është që të mos ketë asnjë shenjë për shkak se sheqeri nuk rritet në nivele të tilla. Por t’i shohësh me kujdes pasi bëhet diagnoza, pacientët kuptojnë që kanë patur këto shenja por mungon vëmendja për ta kontrolluar.

Ajo që është më aktuale janë dëmet që ka bërë. Ajo që ne konstatojmë është se dëmet nga sheqeri i lartë janë minimizuar dhe për shkak se masat në kuptimin e trajtimit janë më efikase. Në këtë kuptim, diabeti i mirëfilltë si shkak i pavarur është pak i mundshëm tek ne. Diabeti kur nuk mjekohet mirë dhe kur një pacient ekspozohet ndaj këtyre patologjive me një diabet të çrregulluar, kjo rrit shanset dhe për fatalitet si dhe për humbjen e aftësisë në punë.

Dëmton si enët e gjakut, çon në amputime serioze, mund të dëmtojë funksionin renal, dëmton retinën. Ka një numër të madh rastesh në botë që janë të verbër për shkak të diabetit, plus humbjes që pësojnë diabetikët nga problemet kardiovaskulare. Dëmet nuk rikthehen mbrapsht por synohet të ruhen aty ku kanë shkuar. Ne insistojmë për t’u bërë kontrolle pacientëve dhe nëse e kapim në fazën e fillimit të dëmtimeve është e rikthyeshme.”, u shpreh Fureraj.

Përsa i përket rastit të fëmijëve diabetikë, mjeku u shpreh se duhet të ruhet një ekuilibër midis kujdesit prindëror dhe kujdesit që duhet të ketë fëmija. “Motivimi i fëmijëve në këtë moshë është i vështirë pasi kërkon kontrollime herë pas here të prindërve. Disa tregojnë më shumë kujdes sesa çduhet duke mos i kërkuar fëmijës të marrë një lloj përgjegjësie në vlerësimin e diabetit dhe mbajtjes.  Kur kemi prindër që marrin gjithçka në dorë, problemet nuk shkojnë kaq perfekt, por në moshën e adoleshencës është e vështirë. Kemi shembuj perfekt të prindërve shumë të kujdesshëm por dhe raste të tjera të cilët për një kohë 5-10 vjet bëjnë komplikacione.”, shtoi mjeku. /abcnews.al/