Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë me dije se dy nga të plagosurit në shpërthimin e ndodhur në një lokal në Ferizaj, janë nisur drejt Turqisë.
Zemaj përmes një postimi në Facebook, mëngjesin e kësaj të enjtje ka bërë me dije se janë nisur për trajtim në Turqi dy të lënduar nga shpërthimi në Ferizaj.
Ai po ashtu ka njoftuar se dy të tjerë janë në pritje të nisjes.
Postimi i plotë:
Nëpërmjet dy aeroplanëve, sot herët në mëngjes, i përcollëm për trajtim në spitalet e Turqisë dy pacientët e parë në gjendje më të rëndë të lënduar nga eksplodimi i bombolës së gazit në Ferizaj, dy të tjerët janë në pritje të nisjes.
E falënderoj nga zemra ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Sakar i cili me përkushtim të pashoq, u angazhua për trajtimin këtyre pacientëve që kanë pësuar djegie të shkallës më të lartë dhe janë më të rrezikuar.
Pacientët tjerë të lënduar nga shpërthimi i gazit, po marrin trajtim nga institucionet tona shëndetësore dhe profesionistët më të mirë që ka vendi, duke e bërë më të mirën e mundshme për secilin nga të lënduarit./abcnews.al