Partizani do luftojë për titull, trajneri Gega ka besim

schedule17:32 - 3 Gusht, 2018

schedule 17:32 - 3 Gusht, 2018

Partizani do të luftojë për titull, por duhet të jetë shumë i fortë për ta fituar. Trajneri Skënder Gega bën “skanerin” e ekipit në pritje të nisjes së Superligës.

Mbërriti me një objektiv të qartë. Skënder Gegës i kërkohet të fitojë titullin kampion me Partizanin, dhe trajneri është i vendosur ta provojë deri në fund.

Pas 25 vitesh pritjeje dhe shumë projektesh të dështuara, ish-mbrojtësi i Partizanit dhe kombëtares është shpresa e radhës, ndërsa bën një “skaner” të ekipit.

Gega kërkon një ekip luftarak, të përbërë nga lojtarë të cilët ai i cilëson si “gladiatorë”.

Ish-trajneri i Shqipërisë U21 nuk përjashton mundësinë e përforcimeve, madje thekson se Partizani ka nevojë për lojtarë të tjerë, veçse shton se do të tregohet i kujdesshëm dhe do të vendosë vetëm kur të jetë i bindur.

E ardhmja e sulmuesit me emër, Edgar Çani, është në rrezik, pasi Gega nuk është aspak i bindur sidomos me gjendjen fizike të tij.

Gjithsesi, do t’i japë ëedhe një shans të fundit që të fitojë vendin në ekip. I pakënaqur, Gega edhe me lojtarin ofensiv, Bardhi, i cili po ashtu nuk ka dhënë atë që ai priste.

Pjesëmarrja në Ligën e Europës, pavarësisht dy humbjeve me Mariborin e fortë slloven, dha shpresë pasi u luajt thuajse si i barabartë me një ekip që është i zakonshëm në fazën e grupeve të Championsit apo Ligës së Europës.

Skënder Gega mendon se Partizani i ka të gjitha mundësitë të luftojë për titullin, pasi sipas tij nuk ka diferenca mes ekipeve, veçse duhet luftuar me seriozitet deri në fund./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!