Ivanka Trump kritikon babain e saj

schedule16:13 - 3 Gusht, 2018

schedule 16:13 - 3 Gusht, 2018

Në një intervistë të fundit pas disa muajsh në heshjte, Ivanka Trump ka kritikuar babain e saj, kreun e Shtëpisë së Bardhë, për vendimin për të ndarë familjet e emigrantëve si dhe për sulmet e tij ndaj mediave.

Pas muajsh të tërë në hije, Ivanka Trump rikthehet në qendër të vëmendjes. Dhe e bën duke kritikuar hapur babain e saj, presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, në dy nga temat që kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka më për zemër: emigrantët dhe mediat. Vajza e presidentit u shpreh se është një gjë e gabuar ndarja e familjeve të emigrantëve, ndërsa gazetat dhe televizionet nuk janë armiqtë e popullit.

Ivanka e ka cilësuar ndarjen e familjeve të emigrantëve si pikën më të ulët të pranisë së saj në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë theksin tek vështirësia në rolin e saj si këshilltare e babait president. Dhe pse ky i fundit e konsideron atë si krahun e tij të djathtë. Dhe pikërisht për sa i përket politikave të emigracionit, Ivanka ka qenë në qendër të kritikave për faktin se nuk e ndaloi babain e saj në kohë dhe as nuk u distancua.

Mediat amerikane aludojnë se Ivanka e ka bërë këtë deklaratë e shtyrë nga ambiciet personale politike. Në fakt prej kohësh qarkullojnë zëra se ajo së bashku me bashkëshortin e saj Xhared Kushner kanë rënë dakord se nëse dikush tjetër nga familja do të kandidonte për Shtëpinë e Bardhë, do të ishte Ivanka, e cila synon të jetë presidentja e parë grua.

Ndërsa për deklaratën e babait të saj president, që i cilëson mediat si armik të popullit, Ivanka u shpreh se nuk e mendonte kështu. Por kreu i Shtëpisë së Bardhë ka reaguar menjëherë në profilin e tij në Tuiter duke thënë se vajza e tij ishte përgjigjur jo për mediat dhe jo për Fake News, pasi janë lajmet false armiqtë e vërtetë të popullit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!