Fundviti e gjeti larg skenës, Merita Halili: Vajzat thanë shyqyr që do kalojmë Vitin e Ri së bashku

schedule07:44 - 31 Dhjetor, 2020

schedule 07:44 - 31 Dhjetor, 2020

Pandemia ka kushtëzuar një sërë aktivitetesh dhe për pasojë dhe artistët nuk do të mund të interpretojnë këtë fundvit. Artistja e mirënjohur Merita Halili në një lidhje me Skype nga SHBA për “Abc-ja e mëngjesit” u shpreh se viti që po lëmë pas ka qenë i vështirë, pasi ashtu si çdo këngëtar tjetër i është dashur të qëndrojë larg skenës dhe spektatorit.

“Ka qenë i ngarkuar dhe jemi pa të çuditur se zakonisht ne për festa jemi gjithmonë rrugëve dhe për herë të parë gocat thanë shyqyr që je me ne dhe do ta presin natën e Vitit të Ri së bashku. Ka qenë e vështirë për të gjithë dhe kemi bërë mësime online me studentët dhe na mungon si çdo artist shumë spektatori sepse jemi ballë për ballë me publikun. Performanca na mban gjallë, po shpresojmë që ky vit të iki dhe të fillojë 2021 me shpresa dhe gjëra të tjera.”, u shpreh Halili.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj Raif Hyseni foli dhe për albumin që ka publikuar pak ditë më parë. “Në këtë album janë 15 instrumentale të kompozuara nga unë. E veçanta është sepse marrin pjesë muzikantë të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, përfshirë dhe amerikanë, si dhe nga Finlanda dhe Turqia. Kompozimet janë bërë qëllimisht me emërtime shqiptare siç është Tango Tirana ose Kalorësi kosovar.“, u shpreh ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!