Dita e djeshme ishte shumë intensive te Kukësi. Partizani i mundi me shifrat 4-1 dhe direkt pas ndeshjes trajneri Skënder Gega dha dorëheqjen, me klubin, që vendosi ta pranojë.
Në studion e emisionit Pressing në ABC u bisedua në lidhje me këtë temë dhe Orges Shehi, një tjetër ish-trajneri i verlindorëve dha opinionin e tij në lidhje me këtë çështje. Ish-kapiteni i Skënderbeut u shpreh se Gega duhet ta kishte menduar më shumë këtë pjesë.
“Pas të tilla ndeshjesh emocionet janë të mëdha dhe duhet të mendohesh për të tilla vendime. Në dy raste më ka ndodhur mua te Skënderbeu dhe presidenti më ka kthyer. Nuk është fundi të mundësh nga Partizani. Sigurisht që djeg, por pas ndeshjes mund të shmangej kjo situatë”.
Endi Tufa, gazetar sportiv, e komentoi kështu largimin e Gegës: “Që në fillim ka pasur disa fërkime me disa lojtarë. Disa ikën, disa qëndruan. Pati edhe pakënaqësi, që lojtarët e shprehin me njëri-tjetrin. Gega ka deklaruar që ishte diçka që nuk funksiononte dhe më mirë të hapte rrugën për një rifillim të ri”.
Eno Skarço, tjetër gazetar në panelin e emisionit, shtoi: “Në fillim Gegës iu dha e gjithë mbështetja e klubit, edhe kur pati konflikt me lojtarët. Nuk është e zakonshme, kur ai nuk ishte, nuk u vu në asnjë moment prezenca e tij. E mbështetën shumë. Në futboll shifrat kanë rëndësi dhe nuk ishin me Gegën. Në katër ndeshje Hallaçi mori më shumë pikë se Gega në 7 ndeshje”.
Edmond Dosti, ish-futbollist i Partizanit, deklaroi: “E njoh mirë Skënder gegën, nuk është nga ata që e lë luftën në mes. Më bën çudi dhe drejtori tha para disa javësh që do e shikoni Kukësin. Aty ka diçka tjetër. Kukësi nuk luajti keq. Skënderi është nga ata që lufton deri në shumë. Kur mendon se nuk ka më, dorëzon çelësat vetë”.
Opinionisti i njohur, Ermal Tahiri në lidhje me zhvillimet te Kukësi u shpreh: “Kukësi ka lojtarë që të gjithë duan të kenë gjithmonë topin. Mbrojtja e Kukësit dihej se do ishte problematike sepse u larguan të gjithë. Gega e ka thënë qartë se ekipi do përforcime në të gjitha repartet. Pankina e Kukësit është me ‘tritol’ nga poshtë”. /abcnews.al