Nga Denis MacShane “The Article”
Fituesit
Boris Johnson
Ai ka pranuar një marrëveshje të dytë të ofruar nga Michel Barnier. Vitin e kaluar, ra dakord të pranonte kushtet e BE-së mbi Irlandën e Veriut, por ia shiti atë lëshim një elektorati britanik të lodhur nga epoka e May-Corbyn e politikës pa krye, duke fituar me një shumicë të madhe. Tani e ka pranuar sërish shumicën e kushteve të vendosura nga kryenegociatori i BE. Por do ta shesë marrëveshjen si një fitore të Britanisë në mesin e errësirës pandemike dhe mjerimit të bllokimit.
Emmanuel Macron
Mbyllja e hyrjes së britanikëve për në Evropë, u tregoi atyre se si mund të ishte një pa Brexit pa marrëveshje. Johnson e urdhëroi negociatorin e tij, David Frost, të hiqte dorë nga qasja e ashpër ndaj çështjes së peshkimit, dhe t’i jepte Macron një ofertë mbi kuotat e peshkimit dhe një tranzicion të gjatë, që shkon përtej përpjekjes së Macron për t’u rizgjedhur në detyrë në majin e vitit 2022.
Nicola Sturgeon
Marrëveshja nuk ofron asgjë për sektorit e fortë të shërbimeve financiare në Skoci. Ai vret gjithashtu sektorin e vogël por fitimprurës të patates skoceze. Më e rëndësishmja, ajo nuk adreson humbjen e të drejtës së skocezëve për të jetuar, punuar ose pensionuar në klimë më
të ngrohtë në Evropë, edhe pse gati 2/3 e tyre votuan në vitin 2016 për qëndrimin në BE.
Në zgjedhjet parlamentare skoceze të majit 2021, Boris Johnson do të akuzohet nga kryeministrja nacionaliste Nicola Sturgeon për tradhtinë e interesave thelbësore skoceze.
Burokracia britanike
Edhe në bazë të marrëveshjes së arritur, do të ketë qindra miliona formularë të rinj për t’u plotësuar. BE ka rreth 45.000 funksionarë që punojnë në të gjitha institucionet e saj. Tani Mbretëria e Bashkuar, do të duhet të punësojë rreth 50-60.000 burokratë, të cilët kompanitë private dhe taksapaguesit do të duhet t‘i paguajnë për të trajtuar format e komplikuara mbi zakonet ose rregullat e origjinës.
Kompanitë gjermane të makinave
Ato ruajnë një qasje të plotë në tregun fitimprurës të Britanisë, pa qenë e nevojshme të ushtronin ndonjë presion mbi Angela Merkel për t’i akorduar ndonjë favor Boris Johnson-it. Nuk ka garanci reciproke për kompanitë japoneze të makinave, të cilët mund të përballen shumë shpejt me kontrollet e ashpra kufitare.
Humbësit
Besimtarë e vërtetë të Brexit
Liga e plakur e besnikëve të Brexit – burra si John Redwood, Bernard Jenkin, David Davis dhe Nigel Farage – kanë ardhur në fund të rrugëtimit të tyre 25-vjeçar. Britania nuk është më një anëtare e BE. Por nuk ka asnjë provë të një të ardhmeje të re të ndritshme, që premtuan ata dikur.
Ekonomia jo-materiale
Ndërsa mallrat e prodhuara dhe shumica e ushqimeve britanike, do të ruajnë qasjen në Tregun e Përbashkët, nuk ka asnjë të ardhme të garantuar për miliona profesionistë të kualifikuar dhe novatorë në sektorin financiar, banka, sigurime, fondet e investimeve, konsulencë, këshillat juridike, mjekësi, arkitekturë, video, filma, organizatorë të ngjarjeve
etj, që kanë punuar lirisht në Evropë për dekada pa leje dhe pengesa.
Britanikët e rinj dhe të moshuar
E gjithë qasja aktuale për të udhëtuar, jetuar, punuar, studiuar ose pensionuar në Evropë tani ka përfunduar, dhe marrëveshja nuk bën asgjë për t’i ndihmuar qytetarët britanikë. Turizmi pa viza do të vazhdojë, por jo për të punuar ose jetuar. Dhe karta EHIC, e cila garantonte trajtim falas mjekësor në kontinent, nuk do të njihet më.
Britanikët kryejnë 73 milion fluturime në vit në destinacione të ndryshme evropiane. Tani këto udhëtime do të kërkojnë një sigurim të shtrenjtë mjekësor. Rreth 2 milion britanikë, kanë blerë shtëpi të dyta në Evropën kontinentale. Jetesa në to do të jetë e kufizuar në 90 ditë, në çdo 180 ditë të vitit.
Ndikimi global i Britanisë
Tani për tani diplomatët dhe përfaqësuesit e tjerë të të gjitha ministrive të Mbretërisë së Bashkuar që punojnë në Bruksel, kanë qasje automatike në të gjitha zyrat e komisionit të BE-së. Ministrat dhe diplomatët britanikë në Uashington apo qendra të tjera globale të fuqisë, kanë pasur ndikim shumë më të madh në Bruksel, pasi Britania shihet si një lojtare globale. Por ky status ka mbaruar, pasi diplomatët gjermanë dhe francezë do të jenë më të dobishëm, kur një fuqi e huaj të dëshirojë të dijë se çfarë synon të bëjë BE-ja mbi një çështje të caktuar.
E djathta populiste anti-BE
Në vitin 2016, Marine Le Pen e vendosi flamurin britanik në të gjitha mediat e saj sociale, ndërsa gëzonte për votimin pro Brexit. Nigel Farage ishte në ekstazë, ashtu si anti-evropianë të tjerë të AfD-së në Gjermani apo Lega e Matteo Salvinit në Itali. Por pavarësisht se Boris u mburr në një tubim para-referendumit në stadiumin Uembli, se qindra miliona evropianë në kontinent do të ndiqnin shembullin e Britanisë, ka ndodhur e kundërta.
Le Pen është tërhequr nga qëndrimi i saj 2016, se Franca duhet të largohej nga eurozona, apo se duhej mbajtur një referendum për vazhdimin apo jo të anëtarësimit të Francës në BE. Votuesit në Evropë e kanë parë rrëmujën që ka shkaktuar Brexit në Britani, dhe kanë votuar kundër politikanëve anti-BE. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al