Zemaj: Gjatë vitit 2021 do të vaksinohet gjysma e popullatës në Kosovë

schedule17:17 - 26 Dhjetor, 2020

schedule 17:17 - 26 Dhjetor, 2020

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka quajtur si të suksesshme punën e tij në menaxhimin e pandemisë Covid-19. Në një konferencë për mediat Zemaj ka bërë me dije se grup mosha më e prekur nga ky virus është ajo nga 30-39 vjeç, ndërsa mbi 80 për qind e të infektuarve janë raste të konfirmuara brenda institucioneve private dhe familjare.

Zemaj ndër të tjeranë bilancin e punës së tij ka folur dhe në lidhje me vaksinat anti-COVID, theksoi se me 7 dhjetor është bërë aplikimi zyrtar i Kosovës për sigurimin e kësaj vaksine në COVAX, mekanizëm ky i ngritur nga Aleanca globale e vaksinave CAVI.

“Ministria e Financave ka deklaruar që financimi i zinxhirit të ftohtë është aprovuar dhe do të bëhet me COUNCIL of Europe Development Bank Loan me shumë prej 2,3 milionë euro. Kategoritë prioritare të cilat janë planifikuar të imunizohen me vaksinat kundër COVID-19, janë punëtorët shëndetësorë, popullata mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, personat e rendit dhe sigurisë publike, dhe sigurisht mësimdhënësit. Fillimisht janë planifikuar 360,000 vaksina apo 740,000 doza të vaksinës, ku do të vaksinohet 20 për qind e popullatës. Gjatë vitit 2021 planifikohet të bëhet vaksinimi masiv i popullatës deri në 50 për qind. Njëkohësisht është bërë planifikimi i vaksinimit masiv të popullatës në Kosovë 2021-2022 me vaksinën kundër COVID-19 ku planifikohen 522,927 hera 2 doza, që nënkupton 1, 045,914 doza të vaksinës”, ka deklaruar Zemaj.

Zemaj u zotua se kanë filluar negociatat individuale me shtatë kompani të ndryshme, ndërkohë që kanë bashkëpunuar me Bashkimin Evropian për vaksinat dhe kampanjat informuese për vaksinën antiCOVID-19.

Nga 1 korriku, në Kosovë janë regjistruar shumë raste vdekjesh e raste të reja me COVID-19. Më 1 korrik ishin në total 2991 raste pozitive me COVID-19, ndërsa sot në total janë 50 135 të infektuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!