Zjarret në Greqi, shkon në 91 numri i personave të vdekur

schedule11:26 - 30 Korrik, 2018

schedule 11:26 - 30 Korrik, 2018

Ka shkuar në 91 të vdekur, bilanci i viktimave të shkaktuar nga zjarri që shkrumboi zonën lindore të rajonit të Atikës në Greqi. Ndërsa të zhdukurit janë 25. Aktualisht vijon puna për identifikimin e viktimave, ndër të cilët mund të jenë dhe disa nga personat e shpallur të zhdukur.

Pasi ka kaluar një javë nga tragjedia, është rritur në 91 persona të vdekur, bilanci i viktimave të zjarrit që shkatërroi rajonin përreth Athinës, në Atikën lindore. Ndërsa zyrtarisht 25 persona rezultojnë akoma të zhdukur. Kjo është bërë e ditur nga një zëdhënës i zjarrfikësve për mediat greke. Shumë trupa të pajetë të gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit nuk kanë akoma një emër dhe do duhen disa ditë përpara se të përfundojnë procedurat e identifikimit.

Kjo, shpjegoi zëdhënësi, mund të japë më shumë informacion mbi statusin e njerëzve që ende konsiderohen të zhdukur. Ndër viktimat ende ka një numër të panjohur fëmijësh, shumë prej të cilëve janë bërë fytyra e tragjedisë, siç janë binjaket nëntë vjeç, një fëmijë gjashtëmujor e shumë të tjerë.

Ambasada shqiptare në Greqi, konfirmoi për ABC News vdekjen e 59-vjeçarit, Viktor Ceko. Ai ndërroi jetë në spital pasi kishte pësuar djegie në mbi 80%. Gjithashtu edhe katër shtetas të huaj të tjerë ishin mes viktimave: një irlandez në muajin e mjaltit, një nënë polake dhe djali i saj si dhe një belge, djali i së cilës është shpëtuar.

Ndërkohë, ngjarja me binjaket 9-vjeçare është ndjekur me shumë vëmendje në të gjithë Greqinë. Të shpallura të zhdukura, sëbashku me gjyshërit, kishin përfunduar në qendër të kërkimeve, të intensifikuara pasi babai doli në media për të bërë apel për ndihmë.

Ai ishte i bindur që i kishte parë në imazhet e rojeve bregdetare, në bordin e një anije që kishte marrë në breg të shpëtuarit. Në një moment të parë u mendua edhe për një rrëmbim. Por ditën tjetër është zbuluar se dy vogëlushet e inkuadruara nuk ishin Sophia dhe Vassiliki. Ankthi zgjati për disa ditë. Në fund erdhi dhe konfirmimi: dy vogëlushet humbën jetën nga flakët e zjarrit të përqafuar nga dy gjyshërit./abcnews.al