Dy ditët e fundit të Korrikut do të jenë tejet të ngjeshura për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, me një total prej 10 seancash dëgjimore dhe shpallje vendimi. Burime pranë KPK konfirmuan për ABC News se trupat që vetojnë gjyqtarët e prokurorët do të punojnë edhe gjatë 10-ditëshit të parë të muajit Gusht.
E hëna dhe e marta, dy ditët e fundit të muajit Korrik do të jenë ditë të nxehta për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Janë plot 10 zhvillime, 7 seanca dëgjimore dhe 3 seanca për shpallje vendimi, që pritet të zhvillohen brenda harkut 2-ditor.
“Batareja” e seancave nis me atë të orës 09:30 të së hënës. Një treshe gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari pritet të shpallë vendimin përfundimtar për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.
30 minuta më vonë, para të njëjtës treshe do të përballet me Vettingun në seancë dëgjimore gjyqtari Mehdi Bici. Ai është i fundit anëtar i Gjykatës së Lartë që del para KPK.
Në mesditë Vettingut do t’i nënshtrohet Gentian Medja, gjyqtari i Gjykatë Administrative Tiranë.
Ora 14:30 është rezervuar për prokurorin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besnik Muçi, i njohur si një nga kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm.
E hëna në KPK mbyllet me një seancë që nis në kufirin fundor të orarit zyrtar. Në 16:00 pritet të nisë rivlerësimi i gjyqtares së Tiranës, Brunilda Kadi, kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe aktualisht anëtare e KLD.
Ditën e martë, seanca e parë është në 09:00, ku do të dëgjohet gjyqtari i Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, ish-anëtar i KLD. Kjo seancë do të pasohet nga ajo për gjyqtarin e Apelit Administrativ, Artur Malaj.
Në orën 14:30 në KPK do të paraqitet për të mësuar vendimin përfundimtar ndaj tij, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci.
Seanca e radhës do të jetë dëgjimore, ku me Vettingun do të përballet prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, një nga prokurorët që po heton akuzat për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Seanca e fundit e të martës do të jetë ajo e orës 15:30. Në të pritet të shpallet vendimi për drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka.
Ndonëse muaj pushimi për gjyqësorin, Gushti duket se nuk do të jetë i gjithi i tillë për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Burime brenda institucionit konfirmuan për ABC News se gjyqtarët e Vettingut do të vijojnë punën, të paktën për 10-ditëshin e parë të këtij muaji./abcnews.al

