Kompanitë Pfizer dhe BioNTech do të furnizojnë SHBA-në me 100 milionë doza shtesë të vaksinës për COVID-19, sipas një marrëveshjeje të dytë të arritur mes palëve.
Kompanitë farmaceutike thanë të mërkurën se ato shpresojnë që të gjitha dozat të jenë dorëzuar deri më 31 korrik. Firma Pfizer tashmë ka një kontratë për të furnizuar qeverinë me 100 milionë vaksina të saj, e cila kërkon nga dy doza për pacient.
Sipas marrëveshjes prej gati 2 miliardë dollarësh të njoftuar të mërkurën, kompanitë do të dorëzojnë të paktën 70 milionë doza shtesë deri më 30 qershor, ndërsa 30 milionë të tjera, jo më vonë se 31 korriku.
Sekretari amerikan i Shëndetësisë Alex Azar tha në një deklaratë se marrëveshja mund t’u japë njerëzve besim “se ne do të kemi furnizim të mjaftueshëm për të vaksinuar deri në qershor 2021 çdo amerikan që dëshiron të vaksinohet.”
Vaksina e firmës Pfizer ishte e para që mori autorizimin për përdorim urgjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe javën e kaluar nisi dërgimi i sasive të para.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe shtëpitë për të moshuarit ishin të parët në listën e vaksinimeve. Disa sondazhe tregojnë se skepticizmi në lidhje me vaksinën është ndoshta në rënie.
Pas dështimeve të fillimit për sa i përket testimeve për COVID-19, zyrtarët e administratës Trump shpresojnë të shkruajnë një kapitull të fundit shumë të ndryshëm me vaksinat. Operacioni Warp Speed ka financuar krijimin, prodhimin dhe shpërndarjen e miliona dozave, për të siguruar vaksinimin falas për çdo amerikan që e dëshiron atë.
Operacioni Warp Speed pritet të sigurojë rreth 40 milionë doza vaksinash deri në fund të këtij muaji, nga të cilat rreth 20 milionë do të jepen për vaksinimet e para që do të vazhdojnë deri në javën e parë të janarit. Si vaksina e kompanisë Pfizer ashtu edhe ajo e Modernas kërkojnë dy doza për të bërë efekt të plotë./abcnews.al