Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot që të lerë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për përjashtimin nga sistemi i drejtësisë për 15 vite të gjyqtarit Agim Bendo.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.9/2020, datë 13.02.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Agim Bendo, kundër vendimit nr. 216, datë 04.12.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 216, datë 04.12.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Agim Bendo.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 22.12.2020″ thuhet në vendim.
Një vit më parë gjyqtari dha dorëheqjen, pak përpara se të dilte përpara vettingut dhe për të KPK-ja ndërpreu vettingun duke e përjashtuar nga sistemi për 15 vitet e ardhshme. Bendo e ankimoi vendimin, por Kolegji vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPA-së./ db/Abcnews.al