Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës shkarkoi nga detyra Konsullin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Halim Krasniqi me argumentin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve. Dekreti mban firmën e presidentes në detyrë Vjosa Osmani.
Një vendim të tillë, Halim Krasniqi e cilëson anti-kushtetues. Në një prononcim për Abcnews.al, Krasniqi shprehet se akuza nuk është e vërtetë dhe se vendimin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu, ai thotë se kjo është hakmarrje nga presidentja në detyrë Vjosa Osmani.
“Më njollosën, këto janë akuza të pabaza, të marra nga një portal në Tiranë, por nuk ka asgjë të vërtetë. Në konsullatë nuk ka pasur asnjë aferë, është punuar me përkushtim edhe në kohën e pandemisë.
Ne jemi familje e luftës, kemi punuar për drejtësi dhe këtë vendim të pabazë do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese. Vendimin e cilësoj edhe si hakmarrje politike nga Vjosa Osmani, që po largon edhe njerëz të tjerë të emëruar nga Hashim Thaçi.
Unë jam i pastër dhe vendimin do ta dërgoj në gjykatë, nuk ka asgjë të vërtetë në atë që shkruhet” deklaroi ai për Abcnews.al. Me firmën e Vjosa Osmanit, Halim Krasniqi largohet përfundimisht nga diplomacia./ db/Abcnews.al