Reforma zgjedhore, Çuçi: Do të jetë gati në Shtator

schedule09:12 - 26 Korrik, 2018

schedule 09:12 - 26 Korrik, 2018

Ndryshimet në kodin zgjedhor do të jenë gati në Shtator. Ndonëse me vonesë pasi afati për të përfunduar ishte muaji Korrik, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Bledi Çuçi është shprehur tashmë se janë në fazën e hartimit të draftit.

Është kohë pushimesh, por jo për ekspertët e komisionit të reformës zgjedhore. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Bledi Çuçi, tha se janë ata që do të bëjnë gati draftin që do të diskutohet e do të dërgohet për vendimmarrje në parlament.

“Këtu përfshihet gjetja e një mënyre për depolitizimin e administratës zgjedhore, mënyrën e financimit të partive, shpenzimet në fushatë. Pra të gjitha këto që janë pjesë e rekomandimeve të ODHIR do adresohen”.

Në fakt, afati për ta finalizuar reformën zgjedhore ishte Korriku. Por ndonëse kjo kërkesë e kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë nuk u përmbush nga komisioni i posaçëm, socialisti Çuçi thotë se do të bëhet e mundur që në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm në një bashki që ende nuk është përzgjedhur të pilotohet identifikimi elektronik i zgjedhësve.

“Brenda qendrës së votimit, pra duke shmangur një proces që do kërkonte përdorimin e teknologjisë online, pra nuk do të ketë teknologji online, por brenda qendrës së votimit do të përdorim teknologji që do bëjë të mundur që të ruajë dhe formën tradicionale të votimit”.

Rezultatet që do të prodhojë ky projekt pilot do të vendosin për zbatimin ose jo të këtij identifikimi në zgjedhjet parlamentare të përgjithshme.

Sa i përket votimit të emigrantëve, kjo është një temë ende në fazë diskutimi tha bashkëkryetari socialist i komisonit të reformës zgjedhore.

“Çështja e ndryshimeve kushtetuese lidhet me një çështje të ndryshimit të sistemit elektoral dhe çështjet e ndryshimit sistemit elektoral tani nuk është një çështje për diskutim në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore”.

Sipas tij e rëndësishme është që në kodin e ri zgjedhor të pasqyrohen  të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIH-rit bërë në tre zgjedhjet e fundit. Sa i përket arritjes së dakordësisë me partitë e vogla ai nuk ka një përgjigje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!