Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka ngritur alarmin për përdorimin e kortizonikëve nga qytetarët në vend për trajtimin e simptomave të Covid-19. Në një postim në rrjetetet sociale, epidemiologu thotë se këto medikamente po jepen si karamele.
Ai bën thirrje për kujdes, pasi medikamentet “kur nuk përdoren në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur, jo vetëm që nuk ofrojnë asnjë efekt por ushtrojnë efekte anësore negative të njohura e të panjohura”.
“Ky është rasti edhe i kortizonikëve, të cilët po jepen si karamele edhe në Shqipëri. Indikacioni i vetëm klinik për dhënien e kortizonikëve është te pacientët e sëmurë rëndë, potencialisht në detres respirator”, shkruan mjeku.
Alimehmeti thekson se korizonikët nuk jepen për stadet e lehta të sëmundjes dhe aq më tepër në ditët e para të diagnonëz.
Postimi i plotë:
“PRIMUM NON NOCERE”
Cit.: Dogmë mjekësore (shqip: “Së pari mos bëj dëm”)
Miqtë e mi!
Një lutje për të gjithë!
Në kuadrin e frenezisë së trajtimit të COVID-19, po rendim drejt skajit tjetër mjekësor, atij të MBITRAJTIMIT!
Kujdes, medikamentet kur nuk përdoren në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur, jo vetëm që nuk ofrojnë asnjë efekt por ushtrojnë efekte anësore negative të njohura e të panjohura.
Ky është rasti edhe i kortizonikëve, të cilët po jepen si karamele edhe në Shqipëri.
Indikacioni i vetëm klinik për dhënien e kortizonikëve është te pacientët e sëmurë rëndë, potencialisht në detres respirator.
NUK JEPEN KORTIZONIKË NË FORMAT E LEHTA!
AQ MË KEQ QË DITËN E PARË TË DIAGNOZËS!
Studiuesit e qendrës prestigjioze Mayo Clinic, Rochester – SHBA kryen një meta-analizë (maja e evidencës mjekësore) mbi përdorimin e kortizonikëve në COVID-19 dhe raportuan në revistën CHEST më 28 tetor 2020 se:
KORTIZONIKËT E RRISIN VDEKSHMËRINË E PËRGJITHSHME ME 2.3 FISH! (Figura 3 e artikullit)
Në rastet e sëmura rëndë kortizonikët e ulin vdekshmërinë me 35%. (Figura 4 e artikullit)
Vdekshmëria e rritur te pacientët që përdorin kortizonikë vjen si rrjedhojë e efekteve të njohura protrombotike të kortizonikëve e kombinuar me efektet anësore negative të kortizonikëve si superinfeksionet, aspergiloza pulmonare e lidhur me COVID-19, hiperglicemia dhe hipertensioni arterial.
Të gjitha efekte anësore të njohura miqtë e mi!
Pra:
Mos merrni dhe mos jepni kortizonikë në fazat e para dhe të lehta të sëmundjes!
KORTIZONIKËT E DHËNË PA KRITER RRISIN GJASAT E VDEKJES!
Kujtoni:
PRIMUM NON NOCERE ?
Asnjë mjekim nuk është karamele.
Mos i trajtoni si të tillë.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT