Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Delvinë, aty ku vendasit u përballën me Albpetrolin, ndeshje e vlefshme për grupin B të Kategorisë së Dytë. Një person (A.H) gjuajti me gurë nga jashtë stadiumit, duke goditur dhe dëmtuar në kokë Elis Pulajn, një nga gjyqtarët anësorë të sfidës.
FSHF ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Delvinë me anë të një komunikate zyrtare, ku kërkon dënimin e personit përgjegjës. “Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Elis Pulaj gjatë ndeshjes Delvina-Albpetroli, e vlefshme për javën e 7-të të Kategorisë së Dytë, Grupi B.
Njëkohësisht, Federata e Futbollit kërkon nga organet ligj-zbatuese që të marrin masa të forta për të ndalur aktet e dhunshme, që prishin imazhin e futbollit. Gjithashtu, u bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që veprojnë sa më parë për të ndaluar shkaktarët e dhunës dhe t’i vënë ata para drejtësisë.
Posted by Federata Shqiptare e Futbollit on Saturday, 19 December 2020
Sakaq, Federata Shqiptare e Futbollit do të caktojë një inspektor disipline për të kryer një hetim disiplinor në lidhje me incidentin dhe dhunën ndaj gjyqtarit. Është e papranueshme që futbolli të penalizohet për shkak të disa individëve të dhunshëm e të papërgjegjshëm.
Federata e konsideron të rëndë ngjarjen e ndodhur në Delvinë e që nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit dhe frymën e “Fair Play”. Së fundmi kërkojmë nga sportdashësit, që të distancohen nga veprime të tilla të dhunshme, që nuk kanë asnjë lidhje me lojën e bukur të futbollit, por vetëm e dëmtojnë atë“, lexohet në postimin e FSHF-së. /abcnews.al