Kukësi nuk arriti të marrë fitoren e gjashtë rresht sot, kur u ndal me humbje minimale nga Kastriotit. Pas ndeshjes për Supersport foli tekniku i verilindorëve, Skënder Gega.
“Qesh nga halli, nuk jam i lumtur. Nga t’ia nisësh. Nuk do merrem me problemet dytësore. Bisedova me gjyqtarët, shpresoj të jenë gabime njerëzore. Pjesa më e madhe e lojtarëve nuk e dinin se çfarë presioni do kishin në stadium. U dënuam nga kornet dhe do e analizojmë.
Lojtarët i kanë idetë se çfarë i priste, s’mund të heqësh as meritat e Kastriotit që në mënyrën e vet dha më të mirë dhe ia dolën. Humbëm shumë raste ishim edhe pa fat, por nuk kthehet gjë mbrapsht. I pari e merr gjithmonë përgjegjësinë, gjendja e fushës u rëndua me kalimin e kohës.
Nuk e di sesa u ndërpre ndeshja dhe nuk e dija sa do zgjaste shtesa. Secili menaxhon ekipin e vet dhe komunikon në mënyrën e vet, unë flas teknikisht. Arbitrat duhet ta menaxhonin me mirë, sidomos në momentet që u ndalua loja.
Duhet ta kalojmë këtë, të vazhdojmë para. Është humbje që do na djegë. Po flas çfarë i takon një trajneri. Këtu vijnë vëzhgues dhe përfaqësues të Federatës dhe unë nuk dua të justifikohem për humbjen. Arbitrat mund të bënin më mirë dhe fusha nuk ishte në gjendjen e duhur”, përfundoi Gega. /abcnews.al