Gjimshiti lë gjurmë në Champions, një statistikë e nxjerr më të mirin

schedule12:17 - 19 Dhjetor, 2020

schedule 12:17 - 19 Dhjetor, 2020

Berat Gjimshiti është një nga lojtarët më të mirë të Championsit këtë sezon. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u shpall më i miri për zotërimin e topave nga kundërshtari, ndërsa u kualifikua për në turin e dytë me Atalantën

Ishte në fushë në të gjashtë ndeshjet e grupit. I luajti të gjitha minutat, 540, dhe ishte një nga lojtarët më të mirë të Atalantës në Champions League. Berat Gjimshiti, mbrojtësi i qendrës i kombëtares shqiptare, e shënoi emrin e tij jo vetëm në Serinë A, ku ka shkëlqyer dhe ka shënuar edhe gola, por edhe në konkurrimin kryesor të klubeve në Europë.

Gjimshiti ishte një nga maratonomakët e vërtetë në fazën e grupeve, me mbi 10 km të përshkuara  për ndeshje, por ishte edhe më i miri kur erdhi puna tek “interceptimet”, pra kur zotëronte topin që një lojtar kundërshtar e pasonte për shokun e skuadrës.

 

Me 15 të tilla, Berat Gjimshiti ishte “mbreti” i Ligës së Kampionëve, duke lënë pas lojtarin e Ajax, Graveberh, polakun Ribus dhe Sanusin e Portos.  Po ashtu, ai pati 300 pasime (mesatarisht 50 ndeshje, pra aspak keq), me 78 për qind saktësi, si dhe 64 për qind të dueleve të fituar, nga të cilët gati 70 për qind duele ajrore të fituar.

Padyshim, mbrojtësi i Shqipërisë e ka ndihmuar shumë Atalantën në ecurinë e këtij sezoni ku ka arritur në turin e dytë, ashtu siç ndodhi vjet kur mbërriti në çerekfinale. Jo vetëm kaq, por Gjimshiti po vazhdon një karrierë shumë të mirë në kampionatin italian.

Ai ka arritur kuotën e 100 ndeshje në Serinë A, duke fituar gjithnjë e më shumë përvojë, ndonëse është larg rekordit të Erion Bogdanit që ka 256 ndeshje. Nga lojtarët e tjerë shqiptarë në Itali, Elseid Hysaj ka 195 ndeshje në kampionat, kurse Igli Tare 184. /B.K/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!