Duke filluar nga sot në Hungari familja mund të jetë e ligjshme vetëm nëse është hetero: vetëm çiftet heteroseksuale mund të rrisin apo të adoptojnë fëmijë. Dhe fëmijët duhet të marrin një edukim konservativ të bazuar në identitetin kushtetues kombëtar dhe tek vlerat e krishtera. Qeveria e mazhorancës e kryeministrit Viktor Orban tashmë e ka shkruar këtë në kushtetutë.
Parlamenti miratoi amendamentin e nëntë të ligjit thelbësor, me 123 vota pro, 45 kundër dhe 5 abstenime. Ministrja hungareze e drejtësisë u shpreh se objektivi është mbrojtja e fëmijëve dhe jo diskriminimi i grupeve. Por Amnesty international dhe organizatat jo qeveritare për të drejtat civile e konsiderojnë këtë si një ditë të zezë për barazinë gjinore dhe shtetin e së drejtës.
Atmosfera ishte bërë e qartë pak orë para votimit në parlament, me anë të një fjalimi në televizion të ministres hungareze të familjes, sipas së cilës gratë duhej të mos shqetësoheshin më se nuk paguheshin aq sa burrat por duhet të kenë prioritet të lindin fëmijë, të jenë nëna të mira dhe qendra e motori i një familjeje tradicionale.
Domethënia praktike e amendamentit kushtetues, sipas mediave më të rëndësishme ndërkombëtare është ndalimi për të adoptuar dhe rritur fëmijë për të gjitha çiftet homoseksuale apo transgjinore.
Amendamenti i nëntë thotë qartë se : Nëna është femër, dhe babai është mashkull. Hungaria garanton të drejtën e fëmijës që të identifikohet me gjininë me të cilën ka lindur.
Amendamenti i nëntë dhe ligji i ri pranojnë të drejtën për adoptim vetëm për çiftet heteroseksuale. Polonia, që është aleati kryesor i Hungarisë brenda Bashkimit europian, po përgatit një ligj që ndalon çdo grumbullim, marshim apo eveniment publik të komunitetit LGBT./abcnews.al