Një operacion i zhvilluar mëngjesin e të martën nga Antimafia e Potenzas në Itali arrestoi 18 persona të akuzuar për organizatë kriminale në trafikun e drogërave të forca mes Shqipërisë dhe provincës së Materas. Mediat italiane raportuan se në operacionin e koduar “Agimi”, u prangosën edhe disa shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik.
Hetimet kanë zbuluar se ky grup kriminal merrej kryesisht me trafikun e heroinës, kokainës dhe marijuanës. Sipas tyre, lënda narkotike sigurohej në territorin shqiptar, ku secili prej të arrestuarve kishin rolet përkatëse që nga gjetja e drogës e deri tek dërgesa e shpërndarja në jug të Italisë. Detajet e operacionit u bënë publike nga prokurori italian. Ai tha se mafia shqiptare është kthyer në një nga grupet më të fuqishme në Europë.
“Shqiptarët janë realitet kriminal tashmë të një niveli evropian, krahasohen me grupet më të rrezikshme evropiane sa i përket trafikut të narkotikëve. Kanë ardhur në zonën e Bazilikatës ku kanë bazat e tyre logjistike që për fat të keq janë pjesë e krimit të organizuar në këtë rajon” tha ai. Grupi u zbulua nga dëshmia e një gruaja shqiptare. Ajo vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë.
Bashkëpunëtor i drejtësisë u bë edhe bashkëjetuesi i saj, 36 vjeçari Bledar Allmuça. Ai u arrestua në 4 korrik të këtij viti gjatë operacionit “Kulmi” i zhvilluar mes SPAK dhe prokurorisë italiane. 6 muaj më parë u arrestuan 37 persona, si dhe u sekuestruan mbi 4 milionë euro prona, e automjete në Shqipëri dhe Itali.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqesin këta persona autoritetet italiane e kanë krahasuar grupin me organizatën mafioze “Ndragetta”. Hetimet nisën në vitin 2016 dhe zbuluan pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve që sipas policisë italiane, janë eksponentë të rrezikshëm kriminal të njohur në Kalabri dhe Pulia./ Abcnews.al

