Të arrestuar dhe në hetim për dosjen e drogës në Vlorë, policia: 6 efektivë lejuan kultivimin

schedule17:16 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 17:16 - 14 Dhjetor, 2020

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) deklaron se gjashtë efektivë policie në Vlorë janë nën akuzë për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit. Një nga efektivët është arrestuar, një është shpallur në kërkim dhe katër po hetohen në gjendje të lirë.

SHÇBA thekson se dyshohet se në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra, “efektivët kanë lejuar këtë veprimtari të kundërligjshme, kryer nga persona të ndryshëm, duke konsumuar elementët e “Shpërdorimit të detyrës”. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë favorizuar persona të ndryshëm në veprimtarinë e kultivimit të narkotikëve” thuhet në njoftim. Efektivët janë pezulluar nga detyra.

Punonjësit e policisë së proceduar janë:

David Faka 56 vjeç, Oficer i Patrullës së Përgjithshme, me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”;

Isa J. 39 vjeç, SPZ në Njësinë Administrative Horë, Bashkia Himarë, me masë sigurimi personal “Arrest në burg”, në mungesë, për të cilin u bë shpallja në kërkim;

Arjan Tase 36 vjeç, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, me masë sigurimi personal të karakterit ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”;

Artur Veshaj 54 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve/Përgjegjës i Shërbimeve për Krimet, me masë personal të karakterit ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”;

Ilir Kadena 49 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve, me masë sigurimi personal të karakterit ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”;

Alem Llanaj 26 vjeç, Oficer i Patrullës së Përgjithshme, me masën e sigurimit personal të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.

Masat e sigurimit për punonjësit e Policisë dolën në funksion të procedimit penal në fushën e kultivimit të narkotikëve, ku dyshohet se në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra, kanë lejuar këtë veprimtari të kundërligjshme, kryer nga shtetas të ndryshëm, duke konsumuar elementët e “Shpërdorimit të detyrës”.

Pas një hetimi 6-mujor me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë, veprimet dhe mosveprimet e të cilëve kanë favorizuar shtetas të ndryshëm në veprimtarinë e kultivimit të narkotikëve.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masat e sigurisë për 41 shtetas, të cilat janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 dhe duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor”.

Akuza është ngritur nga prokuroria pas hetimeve disa mujore që u finalizua ditën e sotme me prangosjen e 27 personave, ndërsa 4 janë në kërkim nga 41 të përfshirë në total, teksa të tjerët janë në hetim në gjendje të lirë.

Në fakt prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë zyrtarët e policisë që i akuzon si për shpërdorim detyre, por gjykata miratoi dërgimin në qeli vetëm të dy prej tyreve. Gjithashtu në këtë dosje janë ngritur akuza edhe për inspektorë të pyjeve dhe kullotave në fshatrat Vranisht dhe Tërbaç, Himarë, por edhe kryetarëve të fshatrave Kuç.

Policia e shtetit deklaron se gjatë periudhës hetimore gjashtëmujore janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike canabis sativa, në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar 120.9 kg lëndë e dyshuar narkotike, janë sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive, 39 telefona celular etj./ db/Abcnews.al