Ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi në Kuvend projektligjin që qeveria ka sjellë për uljen e taksave për bizneset e lojërave të fatit. Berisha e ka akuzuar direkt kryeministrin se ky ligj është bërë posaçërisht për të favorizuar vëllanë e tij Olsi Ramën dhe vëllanë e ministrit të Brendshëm, Geron Xhafajn, si ortakë në këto biznese.
825.6 milionë euro është dëmi që ka pësuar shteti shqiptar në një vit. Pasi e bëri publike këtë shifër kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, gjatë prezantimit në Kuvend të raportit vjetor të institucionit që drejton, një pyetje i lindi ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Unë një pyetje kam. A u drejtove në fjalën tuaj o të poshtëruar hajdutë që keni vjedhur 1.2 milardë euro të njerëzve më të varfër në Europë”.
Përveç pyetjes ka edhe një denoncim për të bërë ish-kryeministri Sali Berisha. Ai i drejtohet kreut të qeverisë Edi Rama, i cili ka sjellë në parlament sipas Berishës ligj për uljen e ndjeshme të taksave për bizneset e lojërave të fatit.
“A e dini ju që këta kanë sjellë një ligj për Olsin dhe Geronin. Do të thotë që lojërat e fatit, të ulet tre herë tatimi i lojërave të fatit”.
Gjatë fjalës së tij ish-kryeministri Berisha e pa të pavend ndërhyrjen nga ministri Pandeli Majko ndaj të cilit nuk u kursyen fjalët e mira për bojkototin e votimit për ligjin e teatrit.
“Po Pandeli më mirë mos fol se ty edhe të nxjerrin edhe të marrin. Lexoje mirë ligjin”.
E duke u rikthyer përsëri te ligji për lojrat e fatit, ndryshe nga çdo herë tjetër tha një fjalë të mirë për ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani./abcnews.al