Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Ministrja kroate për ABC: Shqipëria ka punuar shumë, hapja e negociatave do të bëhet shpejt

schedule14:37 - 13 Dhjetor, 2020

schedule 14:37 - 13 Dhjetor, 2020

Sekretarja e shtetit të Kroacisë për Çështjet Europiane, Andreja Metelko-Zgombic në një intervistë për ABC tregon se pasi të aprovohet kuadri i negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, ka një tjetër etapë para hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit.

Komisioni Europian duhet të përpilojë një raport mbi plotësimin e kushteve të mbetura dhe t’ia prezantojë Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian. Andreja Metelko Zgombic shprehet, se në vendimin politik të 25 marsit, ka një listë kushtesh që Shqipëria duhet të përmbushë para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

Ajo i referohet reformës elektorale, funksionimit tê Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, përpjekjeve lidhur me luftën kundër korrupsionit, çështjet e azilit dhe çështja e lirisë së shtypit. “Pasi të aprovohet kuadri negociues, atëherë i takon Komisionit Europian të prezantojë një raport mbi faktet dhe arritjet e bëra deri tani nga Shqipëria. Jam e sigurtë, se Shqipëria ka punuar fort mbi prioritetet dhe hapja e negociatave të anëtarësimit do bëhet brenda një periudhe të shkurtër ” shprehet Zgombic.

Intervista e plotë:

Ministrat e Çështjeve Europiane dështuan për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me kuadrin negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth e cilësoi këtë si një zhgënjim të thellë. A do ta cilësonit dhe ju si të tillë?

Ai ka përçuar ndjenjën e shumicës dërrmuese të ministrave të mbledhur në Këshillin e përgjithshëm të Bashkimit Europian. Kroacia shpreh vërtet keqardhjen që Këshilli nuk ishte në gjendje të arrijë një konsensus për kuadrin negociues për Shqipërinë  dhe Maqedoninë e Veriut. Siç e dini, për një vendim të tillë duhet unanimitet. Shprehim mbështetjen për përpjekjet e bëra nga presidenca gjermane dhe shpresojmë sërish që të mund të arrihet një konsensus në fund të vitit. Nëse kjo është e pamundur, atëherë shpresojmë vërtet që presidenca e ardhshme e Bashkimit Europoian, ajo portugeze, do ta udhëheqë procesin drejt një konkluzioni të suksesshëm.

Çfarë ndodhi me konkluzionet për zgjerimin? Një situatë a pahasur më parë. Mund të kuptohet dështimi për kuadrin negociues, por pse nuk u arrit të paktën aprovimi i konkluzioneve për zgjerimin ?

Po, edhe ne shprehim keqardhje që Këshilli nuk mund të aprovonte konkluzione për zgjerimin, që aprovohen tradicionalisht një herë në vit. Kjo është jeta. Duhet të punojmë më fort, sepse ne nuk duam t’i dërgojmë një sinjal të gabuar 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të forcojmë besueshmërinë te procesi i zgjerimit. Gjatë presidencës kroate, ne ia dolëm ta vemë në fokus procesin e zgjerimit dhe ne nuk duam ta shohim të mënjanuar në të ardhmen.

Cili është qëndrimi i Kroacisë për kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut ? A mendoni se presidenca gjermane nuk arriti të evitonte që procesi i zgjerimit të mbahet peng nga çështje bilaterale ? A është e ndershme kjo pengmarrje ?

Për të arritur te aprovimi i një kuadri negociues është një punë shumë kërkuese. Gjatë presidencës kroate të Bashkimit Europian, ne ia dolëm të arrijmë unanimitetit për vendimin politik lidhur me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ndërkohë, kuadri negociues duhet të jetësojë vendimin politik që u mor. Nuk mendoj, se është e ndershme dhe shpresoj vërtet që të gjendet një kompromis i tillë, që të ndikojë pozitivisht në fillimin dhe vazhdimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Sigurisht edhe Shqipërinë, por…

Por duhet të përmbushë disa kushte. Kjo më çon te pyetja tjetër. Cili është pozicionimi i Kroacisë lidhur me kushtëzimin për Shqipërinë? Disa shtete anëtare që vetëquhen më realiste se Komisioni Europian konsiderojnë, se ende ka kushte që nuk janë përmbushur për hapjen zyrtare të negociatave.

 Së pari, ne ishim shumë të gëzuar që arritëm aprovimin e një vendimi politik edhe për Shqipërinë gjatë presidencës kroate. Por pastaj, në këtë vendim ka një listë kushtesh që Shqipëria duhet të përmbushë para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Dhe ka disa çështje, si reforma elektorale, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, përpjekje lidhur me luftën kundër korrupsionit, çështjet e azilit dhe çështja e lirisë së shtypit. Komisioni Europian është duke ndjekur nga afër përpjekjet e bëra. Nga pikëpamja e Kroacisë, shumë është bërë deri tani, që përpjekjet e bëra janë të sukseshme. Pasi të aprovohet kuadri negociues, atëherë i takon Komisionit Europian të përgatisë një raport dhe të prezantojë faktet dhe arritjet e bëra deri tani nga Shqipëria. Jam e sigurtë, se Shqipëria ka punuar fort mbi prioritetet dhe hapja e negociatave të anëtarësimit do bëhet brenda një periudhe të shkurtër.

A mendoni që ky dhjetëvjeçar po mbyllet pozitivisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor? Kroacia u bë anëtare, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar në procesin e negociatava të anëtarësimit dhe Maqedonia e Veriut  dhe Shqipëria janë pranës hapjes së negociatave. Eshtë e vërtetë që presidenca gjermane nuk ia doli mbanë për Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe përshtypja që krijohet është, nëse gjermanët nuk arritën ta zhbllokojnë situatën për çështje bilaterale, atëherë kush mund t’ia dalë më pas ? Gjithsesi, u arrit vendimi politik falë presidencës kroate. Pra, a mund të quhet ky dhjetëvjeçar pozitiv për rajonin ?

Procesi i zgjerimit u bllokua për një arsye apo një tjetër. Gjatë presidencës kroate, ne arritëm t’i jepnim një energji të re procesit të zgjerimit dhe të tërheqim vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare te zgjerimi. U aprovua metodologjia e re të zgjerimit dhe u arrit marrëveshja politike për Maqedoninë e Veriut. Ishte shumë e vështirë, pasi presidenca kroate e Bashkimit Europian qëlloi gjatë periudhës së fillimit të pandemisë të paprecedentë COVID-19 dhe të gjithë ishim të fokusuar te rrjedhojat dhe sfidat e diktuara nga COVID-19 për shtetet tona dhe qytetarët tanë. Ishte pikërisht për këtë arsye, që besojmë se marrëveshja që u arrit gjatë presidencës kroate ishte kaq e vlefshme. Ne jemi vërtet krenarë për këtë, pasi nuk bëhet fjalë për një sukses jo vetëm për gjashtë vendet e Ballkanit, por edhe për Bashkimin Europian. Të dyja palët përfitojnë. Kontribuohet në siguri, stabilitet, prosperitet, rritje ekonomike. Të gjitha këto avantazhe për kontinentin europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!