Partizani synon kualifikimin në Slloveni

schedule13:30 - 19 Korrik, 2018

schedule 13:30 - 19 Korrik, 2018

Partizani synon kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Europës. Gjithsesi, skuadra shqiptare pritet ta ketë të vështirë sonte në Slloveni, pas humbjes minimale në ndeshjen e parë me Mariborin.

Udhëtimi drejt Sllovenisë nuk ishte i gjatë. E tillë, për Partizanin, pritet të jetë ndeshja e dytë kundër Mariborit në Ligën e Europës, sot në orën 20:15.

Skuadra shqiptare shkoi drejt Veriut e ndërgjegjshme se do të duhet të tejkalojë mundësitë e veta për të siguruar atë që synon, kualifikimin, pas humbjes së duelit të parë në Tiranë.

Formacioni kryeqytetas zhvilloi edhe stërvitjen e fundit përpara takimit të turit të parë, dhe trajneri Skënder Gega ka vetëm një problem, mungesën e mbrojtësit Belica. Moralisht, futbollistët ndihen mirë pasi u matën si të barabartë me Mariborin e fortë në Shqipëri, ndërsa nuk u ndje shumë largimi i ish-kapitenit Batha.

Vetë Gega doli në konferencën për shtyp, së bashku me mbrojtësin Labinot Ibrahimi. Trajneri theksoi se Partizani do të luftojë për kualifikim, edhe pse do të jetë e vështirë pas humbjes së parë, dhe për faktin se sllovenët do të kenë mbështetjen e tifozëve.

Gjithsesi, Gega shpreson që të kuqtë të kenë edhe pa fat me vendimet e arbitrit, gjë që nuk e patën në përballjen e parë. Partizani humbi 0-1 në “Selman Stërmasi” një javë më parë, me një gol që Maribori e shënoi në pjesën e dytë.

Skuadra shqiptare pati disa mundësi për shënim, por gaboi, ndërsa pretendoi me të drejtë një 11-metërsh që nuk iu akordua. Në mbështetje të ekipit pritet të jenë dhjetëra tifozë që kanë udhëtuar me autobus, fugon apo makina personale./abcnews.al