Pescara e ka nisur shumë keq këtë sezon në Serie B. 7 humbje në 10 takimet e para, teksa sfida e fundit jashtë fushe ndaj Ascolit u fitua 0-2. Ledian Memushaj, një nga “veteranët” dhe lojtarët më të rëndësishëm të ekipit italian, flet në Il Centro rreth “Delfinëve” dhe ndalet edhe tek e ardhmja e tij.
“E kemi nisur keq sezonin, nuk di të jap një shpjegim të qartë se pse ka ndodhur kështu. Di të them që na duhet të punojmë fort çdo ditë për të lënë pas krahëve këtë moment të vështirë.
Breda është një teknik me përvojë dhe i aftë, e njeh mirë Serie B dhe kemi besim të madh tek ai, u shfaq edhe në Ascoli një gjë e tillë. Duhet të fokusohemi te ndeshja me Vicenzan, duhet t’i fitojmë ato tre pikë.
E ardhmja? Kam edhe dy vite kontratë, nuk e kam vendosur akoma se çfarë do të bëj në të ardhmen. Sigurisht që do të më pëlqente të qëndrojë në botën e futbollit, por mendoj vetëm për të luajtur për momentin“, deklaron mesfushori i kombëtares kuqezi. /abcnews.al