Erisa Zykaj
Presidenca gjermane e Bashkimit Europian shpreh zyrtarisht zhgënjimin për moshapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe ecjen përpara me Shqipërinë.
Kjo është artikuluar qartë nga ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth gjatë konferencës për shtyp përmbyllëse të takimit të ministrave të çështjeve europiane të Bashkimit Europian, që u zhvillua përmes një video-konference. Sipas Michael Roth ka shpresa që zgjidhja të gjendet gjatë presidencës së ardhshme portugeze të Bashkimit Europian.
Michael Roth minister gjerman i shtetit për Europën:
“Siç e dini, ne nuk kemi arritur aty ky synonim lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shpreh një zhgënjim shumë të madh për mosarritjen e aprovimit të kuadrit të negociatave të anëtarësimit me dy vendet deri tani dhe ende as të konkluzioneve të Këshillit të ministrave për zgjerimin. Kjo është një goditje për procesin e zgjerimit, që synon të forcojë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne, si Bashkim Europian jemi shumë të angazhuar për procesin e zgjerimit dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje gjatë ditëve të fundit, ose gjatë presidencës portugeze”.
Ndryshe nga Shqipëria, për të cilën ministri Roth është shprehur hapur në fillim të takimit se ka ende kushte për të përmbushur, ministri Roth bën diferencën për Maqedoninë e Veriut. Për Maqedoninë e Veriut çështja nuk shtrohet nëse do të hapë negociatat e anëtarësimit, por kur.
Michael Roth minister gjerman i shtetit për Europën:
“Çështja nuk është nëse ne do të hapim negociatat, por kur do zhvillohet konferenca e parë ndërqeveritare. Dua të përcjell pak optimizëm, pasi ishte një shtet i vetëm që nuk ishte në gjendje të aprovonte kuadrin negociues, që duhet tê aprovohet nga 27 shtetet anëtare dhe shtetit përkatës, që është Maqedonia e Veriut. Besoj, që partnerët tanë në Shkup nuk do të dekurajohen. Ne nuk ia dolëm të merrnim një vendim këtë vit, por ne do të çojmë procesin politik përpara dalim vitin tjetër sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka nevojë të kemi një plan B për negociatat e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut. Është thjesht çështje kur do të ndodhë. Ju e ndjeni zhgënjimin tim personal. Ministrit i punëve të jashtme dhe kancelarja gjermane kanë qenë shumë të angazhuar për këtë proces. Por ne nuk arritëm suksesin që mendonim”.
Këshilli i çështjeve të përgjithshme u fokusua te përgatitja e samitit të liderëve europianë të 10 dhjetorit, ku temat kryesore është çështja e pandemisë COVID-19, çështja e klimës, Brexit dhe buxheti shumëvjeçar i Bashkimit Europian. Zgjerimi nuk bën pjesë në agjendën e samiti, si rrjedhim i mosarritjes së dakordësisë mbi konkluzionet për zgjerimin. /abcnews.al/