Nga Erisa Zykaj
Burimet diplomatike të presidencës gjermane janë shprehur për ABC se janë të zhgënjyera me rrjedhimin e procesit të vendimarrjes për kuadrin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Të pyetur nga ABC, nëse heqja e kuadrit negociues dhe konkluzioneve nga axhenda e ambasadorëve të Bashkimit Europian dhe kalimi si një diskutim jo më i gjatë se 10 minuta gjatë takimit të ministrave të çështjeve europiane në 8 dhjetor është zhgënjyese, këto burime janë përgjigjur:
Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ BE heq nga agjenda integrimin e Shqipërise dhe Maqedonisë
“Jemi të zhgënjyer që nuk arritëm marrëveshje për kuadrin negociues për Maqedonine e Veriut dhe Shqipërinë. Ne bëmë gjithçka që kishim në dorë për të gjetur kompromis lidhur me kuadrin negociues me Maqedoninë e Veriut. Jemi të zhgënjyer që Bullgaria bllokon. Kjo e bën të pamundur aprovimin e kuadrit negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ka pasur disa shtete anëtare që kërkuan që të aprovohej së paku kuadri negociues me Shqipërinë. Edhe kjo nuk është e mundur. Gjë që bën që diskutimi për të dyja vendet të kalojë si një pike AOB (çdo çështje tjetër ) gjatë diskutimit në takimin e ministrave të çështjeve europiane nesër jo më gjatë se 10 minuta » janë shprehur këto burime”, shprehen ata.
Kjo situatë rrezikon aprovimin e të gjithë konkluzioneve për zgjerimin, ku përfshihen konkluzionet për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Sipas burimeve diplomatike të presidencës gjermane, nuk pritet që kryetarët e shteteve dhe qeverive të diskutojnë për zgjerimin. Çështja nuk do jetë në axhendën e tyre. Kjo përjashton mundësinë për një tentativë të fundit në nivelin e liderëve europianë në samitin e 10 dhjetorit./abcnews.al