Enis Çokaj është një nga të rinjtë më premtues të kombëtares sonë. Mesfushori i Lokomotiv Zagreb po bën mirë në klubin e tij dhe së fundmi fitoi edhe ftesë në kombëtare nga trajneri Edoardo Reja.
21-vjeçari ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të FSHF, ku tregon pasionin e tij për futbollin, sakrificat dhe momentet e bukura të karrierës së tij deri tani.
PASIONI – “Pasioni për futbollin ka lindur bashkë me mua, dhe sigurisht është zhvilluar me kalimin e kohës derisa vendosa t’i përkushtohem totalisht këtij sporti.
Në fakt, vëllai im ishte ai i cili e kuptoi i pari dashurinë që kisha për topin dhe evidentoi aftësitë e mia. Ai ka qenë përkrahja më e madhe që në fillimet e mia në botën e bukur të futbollit”.
KOMBËTARJA SHPRESA – “Debutimi ishte ndjenjë e veçantë, pasi fanella e Kombëtares ka një peshë të madhe dhe të mbush me emocione, që s’mund t’i provosh kur luan për një klub”.
FTESA NGA REJA – “Ftesa nga Kombëtarja A ishte surprizuese dhe më ka lumturuar tej mase, më ka mbushur me përgjegjësi për të punuar akoma më shumë për të qenë gati të ndihmoj Kombëtaren tonë”.
MOMENTET E BUKURA – “Momenti më i lumtur me klubin e NK Lokomotivës së Zagrebit është kualifikimi për në finalen e Kupës së Kroacisë sezonin e kaluar.
Ndërsa me fanellën kuqezi, përveç momenti të ftesës nga Kombëtarja A, momenti më i bukur ka qenë realizimi i golit të pare me ekipin kombëtar U-21 ndaj Kosovës pak javë më parë. Ishte një emocion i madh!”
LARGËSIA – “Sakrifica më e madhe për futbollin është fakti që kam jetuar larg familjes që në moshën 15-vjecare. Duke vazhduar gjimnazin te Shkolla e Mjeshtërisë së Futbollit “Loro Boriçi” mora drejtimin tim përfundimtar në futboll, duke hequr dorë kështu edhe nga mundësia për të vazhduar më vonë studimet e larta për një tjetër drejtim, pasi edhe si nxënës kam pasur rezultate shumë të mira”.
KROACIA – “Transferimi në kampionatin kroat më ka ndihmuar shumë të rritem si futbollist. Kampionati kroat shquhet për zbulimin e talenteve dhe është një mundësi shumë e mirë për mua për t’u rritur e për të shkuar më lart”.
IDHULLI – “Te kombëtarja kuqezi ka qenë gjithmonë Lorik Cana, më pëlqente fakti se si ai jepte zemrën gjithmonë në çdo ndeshje dhe aftësitë e tij e çonin lojën në një tjetër nivel.
Ndërsa nga grupi aktual vlerësoj veçanërisht Amir Abrashin, do doja të ndiqja hapat e tij te Kombëtarja”, u shpreh mesfushori. /abcnews.al