Tani është zyrtare: stadiumi i Napolit do të quhet “Diego Armando Maradona”. Legjenda argjentinase dhe ish-ylli i ekipit italian, humbi jetën më datë 25 nëntor, duke shkaktuar dhimbje dhe trishtim të madh te tifozët e lojës më të bukur me top.
Në Napoli është krenari dhe idhull i përjetshëm. Kryetari i bashkisë së qytetit jugor, Luigi de Magistris ka firmosur ditën e sotme ndryshimin e emrit të stadiumit, nga “San Paolo” në “Diego Armando Maradona”, vendim që gëzon tifozët e ekipit të Gattusos.
“Diego ishte futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Me talentin e tij të pamasë dhe magjinë e tij, e nderoi fanellën e Napolit për shtatë vjet, duke i dhënë asaj dy tituj kampionë dhe kupa të tjera prestigjioze, si dhe duke marrë në këmbim nga qyteti dashuri të përjetshme“, lexohet në vendimin e Këshillit Bashkiak. /abcnews.al