Fauci kritikon Britaninë: Nxitoi në aprovimin e vaksinës

schedule10:51 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 10:51 - 4 Dhjetor, 2020

Anthony Fauci, eksperti i njohur amerikan për sëmundjet infektive, ka kritikuar Mbretërinë e Bashkuar për procesin e aprovimit të vaksinës për Covid-19. Ai thotë se rregullatori britanik nxitoi në aprovimin e vaksinës anti Covid.

“Nëse aprovimi ndodh shpejt dhe në mënyrë sipërfaqësore, qytetarët nuk do të duan të vaksinohen”, tha virologu i njohur për Fox News.

Fauci shtoi se vendimi i rregullatorit amerikan për vaksinën do të vijë shumë shpejt, ndërsa mbrojti procesin shqyrtues të Administratës për Ushqimin dhe Ilaçet, FDA.

“Ne vëzhgojmë të dhënat me shumë kujdes për t’i garantuar publikut amerikan se kjo është një vaksinë e sigurt dhe efikase”, u shpreh Fauci.

Ndërkohë, të mërkurën, Mbretëria e Bashkuar u bë shteti i parë i botës që aprovoi përdorimin emergjent të vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech ndaj koronavirusit të ri.

Produkti i tyre, sipas të dhënave nga testet klinike, ka treguar një efektivitet deri në 95%.

Përdorimi i gjerë i vaksinës pritet të nisë javën e ardhshme, ku përparësi do të ketë personeli shëndetësor dhe të moshuarit. Britania ka porositur 40 milionë doza, për të vaksinuar 20 milionë njerëz me dy faza./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!