Paditi KLGJ-në, por është me covid, shtyhet seanca për ish-gjyqtaren

schedule11:45 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 11:45 - 3 Dhjetor, 2020

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë Evelina Qirjako ka nisur betejën ligjore me Këshillin e Lartë Gjyqësor. Qirjako ka paditur KLGJ-në në Gjykatën Administrative të Apelit për heqjen e statusit të magjistrates. Për këtë arsye ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë për 15 vite nuk mund të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë.  Në padinë e dorëzuar në Apelin Administrativ, Qirjako pretendon se fakti që nuk ka ushtruar të drejtën për t’u emëruar  në gjykatën e Apelit nuk përbën shkak për përjashtimin e saj nga sistemi. Ish-anëtarja thekson se është e hapur që në një moment të dytë të përballet me vettingun, nëse do të ketë dëshirë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por cfarë e shkaktoi këtë përplasje juridike?

Evelina Qirjako dorëzoi pranë ILDKPI-së formularin e deklarimit të pasurisë  dhe u largua nga detyra më 31 korrik të 2017, pasi i kishte mbaruar mandati. Pas nisjes së procesit të rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ajo vuri në dijeni këtë organ të vetingut se nuk është më subjekt rivlerësimi pasi mandati i saj kishte mbaruar në 2017 dhe se ajo kishte nisur punë në sektorin privat. Në shkresën e dorëzuar në KLGj, qe iu përcoll si informacion Komisionit te Pavarur te Kualifikimit, Evelina Qirjako është shprehur se nuk dëshiron të emërohet në gjykata Apeli, sic i takonte me ligj, as tani dhe as në të ardhmen.

KLGj e ka konsideruar këtë deklaratë të Qirjakos si dorëheqje dhe ka vënë në lëvizje shkallën e parë të vettingut. Për këtë arsye Komisioni e ndërpreu procesin e rivlerësimit dhe e ndaloi gjyqtaren qe për 15 vite të bëhej pjesë e sistemit të drejtësisë. Seanca e parashikuar për të enjten në Gjykatën Administrative të Apelit, u shty pasi, gjyqtarja është infektuar me covid. Gjithashtu në 7 Dhjetor Evelina Qirjako do të nisë betejën në shkallën e dytë të vettingut, pasi ajo ka ankimuar vendimin e Komisionit te Pavarur te Kualifikimit  të datës 8 korrik 2019.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!