Partia Demokratike akuzon qeverinë se po zvarrit procedurat e rindërtimit në Durrës. Ish deputetja Grida Duma përmes një deklarate për mediat është shprehur se ka kaluar një vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe asnjë banesë nuk është përfunduar.
Duma ndër të tjera në deklaratën e saj ish-deputetja thotë se janë tenderuar me 99.1 % të fondit limit, duke dëshmuar se për këtë qeveri prioritet nuk është rindërtimi i banesave.
Gjithashtu ish deputetja kërkon nga qeveria dhe bashkia Durrës që t’i shpjegojnë familjeve pse janë akoma mes 4 rrugëve.
Deklarata e plotë:
26 nëntori i vitit të shkuar ishte një ditë e trishtë. Sytë dhe zemrat e të gjithëve ishin në Durrës. Në ditët që vijuan, përjetuam luftën për mbijetesë, tragjeditë e familjeve për humbjet e jetëve dhe fatkeqësinë e qytetarëve durrsakë, të cilët mbetën pa shtëpi.
Mes vështirësive të atyre ditëve, qytetarët duruan edhe propagandën e shëmtuar të “Hajdutëve të Fatkeqësisë”, të qeverisë dhe bashkisë së Durrësit.
Premtimet e mëdha se Durrësi do të rindërtohej shumë shpejt, se askush nuk do t’i shpëtonte përgjegjësisë, se banorët do të kishin shtëpitë e humbura shumë shpejt, rezultuan një mashtrim i frikshëm dhe i pamëshirshëm.
Sot, një vit pas tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit, Durrësi është totalisht i braktisur. Nuk ka as edhe një ndërtim të vetëm të mbaruar. Zero!
I gjithë ky vit i kaluar mes kalvarit të vuajtjeve, nëpër tenda, mes të ftohtit, të nxehtit, rrënojave të shtëpive, pallateve të dëmtuara nuk ka vlejtur për asgjë.
Procedurat e rindërtimit po tërhiqen zvarrë prej “Hajdutëve të Fatkeqësisë”, që si hijena presin të manipulojnë vjedhjen e radhës.
Deri më tani janë tenderuar me 99.1 % të fondit limit, duke dëshmuar se për këtë qeveri dhe mëkëmbësit e tyre në bashki, prioritet nuk është aspak rindërtimi i banesave shpejt dhe me sa më pak kosto, por krejt e kundërta.
99.1 % e fondit limit të akorduar për rindërtimin në Durrës do të thotë se gjithçka është e paracaktuar, nuk ka garë të vërtetë, nuk ka cilësi, nuk ka shpejtësi në ndërtim. Do të thotë edhe shumë muaj të tjerë me qira, pa shtëpi, sepse këta që qeverisin janë një shpurë me mafiozë që po vjedhin qytetarët më të dëmtuar.
Sot, përgjegjësia bie mbi pushtetarët në Durrës!
Dilni dhe shpjegojuni familjeve pse janë akoma mes 4 rrugëve?
Pse u deshën 7 muaj për disa dokumente dhe 2 muaj të tjerë për të hapur një tender shumë të dyshimtë?
Pse nga 21 milion euro të akorduara, vetëm 1/3 e shumës është vënë në dispozicion të rindërtimit të pallateve të dëmtuara?
Faturën e kësaj kasaphane me fondet do ta paguajnë në 25 prill, “Hajdutët e Fatkeqësisë” me në krye Edi Ramën.
Qytetarët e Durrësit me kthjelltësinë e tyre do të ndëshkojnë me votë “Hajdutët e Fatkeqësisë”, për t’i hapur rrugë rindërtimit të shpejtë të shtëpive të durrsakëve dhe gjithë familjeve të dëmtuara nga tërmeti./abcnews.al