Bikuspidia e aortës, Alfred Nona flet për sëmundjen që ka prekur nga 30-60 mijë shqiptarë

schedule08:15 - 1 Dhjetor, 2020

schedule 08:15 - 1 Dhjetor, 2020

Bikuspidia e aortës, është një problem i lindur (pra kongenital), i cili ka një prevalencë në popullatë që shkon nga 1% deri ne 2%, prek më tepër meshkujt sesa femrat (raporti eshte 3:1) është një malformacion (keqformim) embriogjenetik-gjenetik i valvulës së aortës, e cila në vend që të ketë tre fletë (kuspide) paraqitet me dy flete pra bi-kuspide (dy-fletëshe) sepse zakonisht dy nga fletët ngjiten me njëra tjetrën, gjë që bën më të predispozuar për patologji të ndryshme valvolare apo aortale.

Valvula e aortës, është një valvul që ndodhet në dalje të zemrës, dhe bën lidhjen midis ventrikulit të majtë dhe aortës (kjo e fundit është arteria më e madhe e organizmit).

Përsa i përket simptomave, mund të themi që bikuspidia e aortës në shumicën e pacientëve është asimptomatike pra pa simptoma, dhe zbulohet në mënyre aksidentale, rastësore ose ndonjëherë me auskultimin kardiak për shkak të dëmtimeve në valvulën e aortës.

Ekzaminimi standart (gold standard) që diagnostikon me saktësi të lartë bikuspidinë e aortës është ekokardiograma transtorakale (TTE), ku sensibiliteti është 92% (pra identifikojmë 92 persona në 100 individë që janë bartës të një valvule të tillë), pjesa tjetër mund të diagnostikohet lehtshëm me një ekokardiografi transesofageale (TEE ose TOE).

Ndryshe nga ekokardiograma transtorakale, pra Eko-ja e zemrës standarte që të gjithë e njohim, në ekon transesofageale është i nevojshëm përdorimimi i një sonde, që futet nëpërmjet gojës dhe kalon në ezofag dhe më pas në stomak, kjo e fundit bën të mundur qenien sa më afër te strukturave kardiake sidomos pjesës posteriore të saj dhe si pasojë përfeksionimin e imazheve të zemrës (pra sa më afër zemrës të jemi, aq më të pastra janë imazhet) dhe identifikon bikuspidinë me saktësi të lartë.

Problematikat valvolare apo aortale të lidhura me Biskupidinë e Aortës shfaqen zakonisht në dekadën e katërt, pestë apo gjashtë (sipër 40 vjeç) dhe shumë rrallë tek fëmijët apo adoleshentët, ato janë problematika në nivelin e valvulës, e cila ka sëmundshmëri më të hershme sesa valvula me 3 kuspide (të paktën një 10 vjecar) dhe jane stenoza (kalcifikimi-ngushtimi), regurgjitimi (rrjedhja) apo edhe infeksioni i valvules nga endokarditi infektiv dhe shfaq gjithashtu patologji aortale në rrënjën e aortës dhe aortën ngjitëse (dilatacion, aneurizëm, disekacion apo edhe ruptura të aortës) këto dy të fundit dhe endokarditi infektiv janë edhe jetë-kërcënuese.

Ndërhyrjet kirurgjikale përfshijnë riparim-pastrim ose zëvendësim të valvulës së aortës me valvul mekanike ose biologjike, ndonjëherë edhe zëvendësim të rrënjës dhe aortës ngjitëse, ndërhyrje që vendosen në bashkëpunim midis kardiologut dhe kardiokirurgut në momentin e duhur.

Pra mund të themi se personat të cilët janë bartës të bikuspidisë së aortës duhet ti konsiderojmë sikur kanë një faktor risku ashtu siç mund të jetë diabeti apo hipertensioni dhe që duhen ndjekur periodikisht nw follow up për të kuptuar nëse dhe kur trasformohet bikuspidia në sëmundje dhe ka nevojë për ndërhyrje, pra slogani që të parandalojmë është më mirë sesa të kurojmë vlen plotësisht në këtë malformacion.

Zakonisht vizita dhe një ekokardiograma cdo 12 muaj apo edhe 24 muaj nëse nuk kemi zmadhim të aortës është e mjaftueshme.

Ju ftojmë të ndiqni intervistën e plotë me Dr. Alfred Nona për më shumë informacion mbi këtë temë: