Grupi i njohur suedez, MadMan’s kanë realizuar një projekt të veçantë muzikor si dhuratë për shqiptarët më 28 nëntor.
Ata kanë realizuar një version të veçantë të këngës “Xhamadani vija vija”, e cila njihet si një ndër këngët më personifikuese të shqiptarëve ndër vite.
Përmes një njoftimi të bërë në rrjetet sociale, MadMan’s kanë shkruar se kjo është një dhuratë e vogël për Kosovën e bukur, me shpresën që pas tejkalimit të situatës me COVID-19, do të kenë lirinë e të lëvizurit lirshëm në botë.
“Ky projekt është një mënyrë për të treguar vlerësimin tonë për njerëzit e mirë dhe Kosovën e bukur. Puna në këtë projekt ishte përvojë shumë argëtuese dhe e paharrueshme.
Dy vjet më parë ne ishim të ftuar të performojmë në Hardh Fest në Rahovec, Kosovë. Para koncertit vendosëm të provonim një këngë shqiptare si një dhuratë për publikun. Përgjigja ishte jashtë kësaj bote. Kjo çoi në disa bashkëpunime me Bujar Berishën, Florent Boshnjakun dhe Berat Keqekolla. Kështu që ideja për të bërë një video për këngën “Xhamadani”, erdhi natyrshëm.
Sapo ta kalojmë këtë situatë Covid-19 ne shpresojmë që njerëzit e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm si një nga të drejtat themelore të njeriut”, kanë shkruar MadMan’s. l.k/abcnews.al