COVID-19 vazhdon ta trembë Superioren. Te Kukësi Skënder Gega dhe mbrojtësi Hetemaj vijojnë të jenë të infektuar, ndërkohë që e kanë fituar betejën me virusin sulmuesi Godberg Cooper dhe zëdhënësi për shtypin, Erjon Allaraj.
Te Vllaznia e Partizani ka pasur raste futbollistësh të prekur, sikurse edhe te Bylisi në sezonin e shkuar. Shumë të tjerë e kanë kaluar pa simptoma dhe e kanë zbuluar më pas, kurse tani është radha e Skënderbeut që të trembet.
Sikurse shkruan e përditshmja sportive “Panorama Sport”, kapiteni Jorgo Meksi është futur në karantinë që para ndeshjes me Kastriotin për shkak se ka pasur temperaturë. Veç tij ka shfaqur simptoma edhe Arinaldo Rrapaj, i cili ka bërë tamponin dhe pret përgjigjen.
I fundit që ka trembur korçarët është portieri Mario Dajsinani. I riu nga Kavaja ditën e djeshme nuk është stërvitur me ekipin, për shkak se ka pasur temperaturë. Për të besohet se bëhet fjalë për një virozë të zakonshme të stinën, por frika e infektimit me COVID-19 ekziston. /abcnews.al