Franca favorite ndaj Uruguajit

schedule19:32 - 5 Korrik, 2018

schedule 19:32 - 5 Korrik, 2018

Franca është favorite për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Europianët ndeshjen me Uruguajin, një kundërshtar i fortë, por që ka mungesën e madhe të sulmuesit Cavani.

Nuk kanë pasur asnjë zhgënjim deri tani. Franca dhe Uruguaji shpresojnë që ëndrra të vazhdojë edhe më tej në këtë Botëror, edhe pse njëra prej skuadrave do të duhet të kthehet në shtëpi pas sfidës çerekfinale.

Franca kaloi triumfalisht Argjentinën, dhe Uruguaji ia doli me personalitet ndaj kampiones së Europës, Portugalisë, ndaj morali është i lartë për të dyja palët. Franca jepet favorite, por trajneri Deschamps e di se nuk ka asgjë të sigurt.

Uruguaji nuk është Argjentina dhe pritet që taktika të ndryshojë. Problem mungesa e vetme, Matuidi i pezulluar, që pritet të zëvendësohet nga Tolisso. Zbulimi i kësaj Kupe të Botës, mbrojtësi Pavard, komenton kështu.

“Uruguaji është një ekip që luan si Atletiko e Madridit. Është shumë e vështirë t’i shënosh gol, pasi është ekip shumë i bashkuar, shumë agresiv, dhe me lojtarë shumë të talentuar. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm, pasi do të jetë një ndeshje shumë e ndërlikuar. Ne duhet të luajmë ashtu si ndaj Argjentinës, dhe t’i marrim ndeshjet njërën pas tjetrës”.

Po Uruguaji?

Amerikanojugorët mesa duket nuk shqetësohen fare që cilësohen si ekipi më i dobët i sfidës. Problemi më i madh për trajnerin Tabarez është mungesa thuajse 100 për qind e sigurt e njërit prej lojtarëve kryesorë, sulmuesit Cavani. Gjithsesi, shpresa është te grupi, dhe tek sulmuesi tjetër, Suarez.

“Kjo kombëtare sot është shumë e fortë. Kemi disa vjet që luajmë bashkë, dhe kemi edhe përvojën e brezit përpara nesh. Jemi të lumtur me këtë që kemi arritur deri tani, por gjithashtu punojmë me kokën ulur për të mos pasur vetëkënaqësi. Ndaj Francës besoj se do të jetë prova më e vështirë për ne, në këtë Botëror, por synimi ynë është vetëm fitorja që të vazhdojmë këtë ëndërr, dhe të bëjmë të lumtur tifozët”.

Kompanitë e basteve japin kuotën 1.95 për fitoren e Francës, 3.2 për barazimin në 90 minuta, dhe kuotën 4.4 për fitoren e Uruguajit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!