Situata në spitalin “Shefqet Ndroqi” ose Covid-2 është kaotike. Gazetari Maksi Rama raportoi para ambienteve të spitalit, ndërsa prej orësh aty ndodhen disa autoambulanca.
Ambulancat janë të vendosura para urgjencës së Sanatoriumit me pacientët, ndërkohë që mjekët afrohen vazhdimisht për t’ju dhënë atyre trajtim.
Ende nuk është e konfirmuar nëse në spitalin Covid-2 janë ezauruar të gjithë shtretërit, apo çfarë protokollesh po ndiqen.
Para ambienteve të spitalit nuk mungojnë edhe familjarët të irrituar, pasi të afërmit e tyre prej orësh ndodhen në autoambulanca dhe shumë prej tyre kanë nevojë për oksigjen.
Kujtojmë se gjatë natës mjeku i këtij spitali Dritan Koçiaj bëri thirrje përmes rrjeteve sociale se në Sanatorim nuk ka shtretër, ndërsa pacientët po marrin trajtim në ambulanca.
LEXO EDHE: Mjeku jep alarmin: Te “Shefqet Ndroqi” s’ka më vende, pacientët me Covid në ambulanca
Koçiaj i kërkoi kryeministrit Edi Rama dhe Komitetit të Ekspertëve të reagojnë menjëherë, pasi sistemi po shkon drejt kolapsit.
Ai denoncoi se natën e kaloi duke qëndruar me një pacient në autoambulancë në derën e “Shefqet Ndroqit”, pra “Covid-2”, pasi nuk ka më vende në urgjencën pritëse dhe në pavionin e këtij spitali. Në vijim, mjeku theksonte, se ashtu si ai janë edhe 6 autoambulanca të tjera me pacientë. g.v/abcnews.al