Kurz për Shqipërinë e Maqedoninë: Synojmë hapjen e negociatave më shpejt

schedule15:37 - 3 Korrik, 2018

schedule 15:37 - 3 Korrik, 2018

Austria ka vendosur zgjerimin e BE-së në qendër të programit të saj në drejtim të Unionit. Kancelari Kurz madje nënvizoi se Viena synon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në një kohë më të shpejtë nga ajo çfarë flitet.

Zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit është në qendër të programit të presidencës austriake të Bashkimit Europian,  Këtë e ka artikuluar qartë kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz gjatë prezantimit të presidencës austriake në Parlamentin Europian në prezencë të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Junker, komisionerit për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të anëtarësimit, Johannes Hahn dhe eurodeputetëve. Kancelari Kurz nuk ka fshehur, se presidenca austriake kishte si synim një afat më të shpejtë për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE. Austria ka bërë të ditur para marrjes së vendimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian në 26 qershor në Luksemburg, se synimi i presidencës austriake ishte hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në dhjetor të këtij viti. Por kjo nuk u bë e mundur si rrjedhim i kundërshtimit të Francës, Holandës dhe Danimarkës.

Sebastian Kurz, kancelari i Austrisë: “Një tjetër çështje që Presidenca Austriake ka për zemër është Europa Juglindore dhe veçanërisht Ballkani Perëndimor. Në këndvështrimin tonë, Bashkimi Europian do të jetë i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë bërë pjesë e komunitetit të kombeve tona. Ballkani Perëndimor jo vetëm që ka një perspektivë europiane, të cilën këto vende e kanë fituar dhe e meritojnë, por ato meritojnë gjithashtu anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj, presidenca austriake do të bëjë më të mirën për të mbështetur procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE. Jam shumë i gëzuar që u bë e mundur zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë. Jemi gjithashtu të gjithë të kënaqur që Shqipërisë dhe Maqedonisë iu krijua mundësia drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit, edhe pse ne do kishim dashur një proces më tê shpejtë për tê dyja vendet. Ajo për të cilën kemi vërtet nevojë është dhënia e një perspektive të ndershme për këto vende, një progres të vazhdueshëm dhe të qëndrueshêm drejt Bashkimit Europian, për të siguruar anëtarësimin e tyre të adhshëm në BE”.

Presidenca austriake udhëheq Bashkimit Europian nga korriku deri në dhjetor të këtij viti. Ndër prioritetet kryesore të kësaj presidence është politika e migracionit të Bashkimit Europian, që është tashmë një dosje e nxehtë për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionin Europian. /abcnews.al