Bisedimet mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian mbi një marrëveshje të ardhshme tregtare nuk kanë përfunduar, ndërkohë që fundi i periudhës së tranzicionit Brexit po afrohet me shpejtësi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, njofton se udhëheqësit e BE-së takohen të enjten në Bruksel ndërsa unioni përballet me shqetësime urgjente buxhetore.
Tregtia e ndërsjelltë midis Britanisë dhe BE-së kap vlerën e 885 miliardë dollarëve në vit. Peshkimi përbën më pak se gjysmën e një përqind të kësaj tregtie. Por, mosmarrëveshjet mbi të drejtat e peshkimit ende mund të prishin çdo marrëveshje tregtare.
Britania thotë se dëshiron të marrë përsëri kontrollin e ujërave të saj – dhe të kufizojë qasjen e anijeve të huaja. Kjo mund të jetë shkatërrimtare për flotat evropiane të peshkimit.
“Nëse nuk mund të peshkojmë në ujërat angleze, nuk ka më peshkim belg, sepse 80 përqind të kohës, ndonjëherë 90 përqind të kohës, ne peshkojmë në ujërat angleze; të gjitha anijet belge”, thotë peshkatari belg Robert Campbell.
Mund të duket se Britania ka epërsinë, megjithëse me një pikëpyetje të madhe. Shumica e peshqve të kapur nga britanikët eksportohen në Evropë. Dhe BE-ja mund të vendosë tarifa për ato importe, duke goditur rëndë peshkatarët britanikë.
Një marrëveshje tregtare po vonohet nga kjo mosmarrëveshje peshkimi. Por ka edhe mosmarrëveshje mbi ndihmën shtetërore dhe mbi sistemin e qeverisjes që do të mbikëqyrë çdo marrëveshje tregtare. Me përfundimin e periudhës së tranzicionit vetëm gjashtë javë larg, bisedimet ende vazhdojnë.
“Edhe pse afati i fundit është fundi i vitit, 31 dhjetori, kur përfundon periudha e tranzicionit, duhet pak kohë për ratifikimin e çdo marrëveshjeje”, thotë Jill Rutter, e Programit “Britania në një Evropë që po ndryshon”.
Pra, të dy palët thonë se është i nevojshëm një përparim në ditët në vijim. Edhe nëse arrihet një marrëveshje – Britania do të largohet nga Bashkimi i Tregut dhe Doganave të BE-së.
“Do të ketë shumë ndryshime në 1 janar, me ose pa marrëveshje. Rreziku për qeverinë (britanike) është nëse Kryeministri sjell një marrëveshje dhe thotë se kjo është një marrëveshje e shkëlqyer; atëherë ai do të mbajë pasojat e problemeve”, thotë zonja Rutter.
Ndërkohë, kryeministri britanik Boris Johnson është goditur nga trazira politike të brendshme ndërsa dy ndihmësa politikë janë larguar. Johnson gjithashtu duhet të vetë-izolohet pasi takoi një deputet i cili më vonë doli pozitiv për koronavirusin.
BE-ja është gjithashtu e përqëndruar tek axhenda e saj e brendshme. Hungaria dhe Polonia këtë javë vunë veton ndaj një marrëveshjeje mbi buxhetin vjetor të BE-së dhe një fondi prej 888 miliardë dollarësh të rimëkëmbjes nga COVID-i.
Analistët thonë se ekziston rreziku që marrëveshja e Brexit-it mund të lihet mënjanë në samitin e së enjtes pasi BE-ja merret me shqetësime më të ngutshme./VOA