Austria ka reaguar lidhur me marrëveshjen e arritur nga koalicioni qeverisës në Gjermani duke bërë me dije se do të mbrojë kufijtë e saj. Viena kërkon që të shtojë kontrollet në kufirin me Italinë dhe Slloveninë.
Pas kompromisit mbi migrantët në Gjermani që parashikon kufizime për hyrjen në vend dhe që shpëtoi qeverinë e kancelares Angela Merkel, Austria tha se ishte e gatshme të “marrë masa për të mbrojtur kufijtë e saj”. Nëse marrëveshja vërtetohet, “ne do të jemi të detyruar të miratojmë masa për të mirën e popullit austriak”, tha Viena, duke deklaruar se dëshironte të mbikqyrë veçanërisht kufijtë jugorë, me Italinë dhe Slloveninë. “Bashkimi i partive gjermane të CDU dhe Csu njofton se Gjermania dëshiron të zbatojë masa kombëtare për të luftuar rrjedhën migratore”, thuhet në një deklaratë të qeverisë austriake.
Ndër propozimet e Merkel drejtuar ministrit të saj të brendshëm, Horst Seehofer, është plani për të deportuar azilkërkuesit që vijnë në Gjermani nga Austria dhe të cilët nuk mund të kthehen në vendin e tyre të hyrjes në BE. “Tani presim një sqarim të shpejtë të qëndrimit Gjerman në nivel federal”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga kancelari konservator Sebastian Kurz dhe aleatët e tij të djathtë (Fpoe), zëvendëskancelari Heinz-Christian Strache dhe Ministri i Brendshëm i Herbert Kickl.
Ndërkohë, këto vendime do të sjellin një reagim zinxhir dhe në këtë mënyrë, analistët mendojnë se rrezikohet lëvizja e lirë në BE dhe natyrisht marrëveshja Shengen. Edhe vende të tjera tashmë pritet të ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe Austrisë me dëbimin e refugjatëve. Dy shtetet më të rrezikuara ndaj këti fenomeni janë Italia dhe Greqia, ku refugjatët zbarkojnë për herë të parë. /abcnews.al