Rreth 1.2 kg kokainë janë sekuestruar në një operacion të koduar “Stacioni” në Lezhë. Një grua është arrestuar, ndërsa ish-burri i saj është shpallur në kërkim. E arrestuara është Vera Preka 50-vjeçe, banuese në Ishull, Lezhë.
Në kërkim është ish-bashkëshorti i saj Dode Markvukaj 52 vjeç i dënuar më parë për vjedhje, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, por zanatin e vjetër e ka vijuar serish.
Por si u zbuluan? Policia thotë se mbi bazën e informacioneve të siguruara se në Ishull Lezhë, këta persona posedonin lëndë narkotike u ndërhy në servisin në pronësi të 52-vjeçarit, që ishte i përshtatur si banesë për ish-bashkëshorten, raporton gazetari i “ABC”-së në Lezhë, Gjergj Figuri.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjet dhe u sekuestrua 1.184 kg kokainë dhe një peshore elektronike. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim./ db/Abcnews.al

