Raportuesi i grupit parlamentar gjerman CDU/CSU Thorsten Frei bëri të ditur se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë nuk do të hapen përpara funvitit të 219-ës. Sipas tij, në fillim duhet të shikohen rezultate konkrete në veting dhe në reformën zgjedhore.
Thorsten Frei, raportuesi i grupit parlamentar gjerman CDU/CSU në një intervistë për Dojçe Vele komenton zhvillimet në samitin e fundit të Komisionit Europian dhe vendimin e tij për zgjerimin. Ai dëshiron të saktësojë dhe vendimin e Brukselit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Thorsten Frei, Raportues i Grupit Parlamentar CDU/CSU: “Nuk është vendimtar Këshilli i Ministrave të Jashtëm, por Këshilli i Bashkimit Europian. Meqenëse ky nuk ka marrë vendim fare, nuk është as “po”, as “jo”.
Më tej ai i përgjigjet dhe pyetjes se kur mund të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Për këtë, ai shprehet se nuk do të ndodhë përpara fundit të vitit 2019.
Thorsten Frei, Raportues i Grupit Parlamentar CDU/CSU: “Ne, si grup parlamentar i partive CDU e CSU, do ta kishim mirëpritur qysh tani një vendim për çelje negociatash me kushte. Për Shqipërinë do të kishim qenë dakord për çeljen e negociatave nëse do të ishin përmbushur dy kushte: përfundimi i vetting-ut për 57 gjyqtarët dhe prokurorët më të lartë dhe përmbyllja e reformës zgjedhore. Pra, e thënë më saktë: Konferenca e parë e anëtarësimit do të bëhet vetëm kur zgjedhjet e reja për pushtetin lokal të zhvillohen në bazë të reformës së re zgjedhore të miratuar me konsensus”.
Deputeti gjerman ka folur edhe rreth zërave se në Shqipëri mund të ndërtoheshin kampe refugjatësh, si kusht për hapjen e negociatave. Frei thotë se një propozim i tillë nuk është diskutuar kurrë dhe shton se zgjidhja duhet gjetur tek vendet e Afrikës dhe jo brenda BE-së. /abcnews.al