Koha e kaluar duke luajtur video lojëra mund të jetë e mirë për shëndetin mendor, sipas një studimi të ri të kryer nga Universiteti i Oksfordit. Ky studim vjen në një kohë kur video lojërat kanë “lulëzuar” pas izolimit për shkak të pandemisë.
Studiuesit analizuan të dhënat e dy lojërave, Plants vs Zombies: Battle for Neighborville dhe Animal Crossing: New Horizons, për të kuptuar marrëdhëniet midis sjelljes dhe shëndetit mendor. Ata zbuluan se lojtarët që përjetonin kënaqësi nga lojërat kishin një përmirësim në shëndetin e tyre mendor.
Sipas studiuesve, koha e shpenzuar ishte një faktor pozitiv i vogël, por i rëndësishëm për mirëqenien e njerëzve. Rezultatet e këtij studimi hedhin dyshime mbi supozimet se lojrat shkaktojnë agresion dhe varësi.
“Gjetjet tona tregojnë se video lojërat nuk janë domosdoshmërisht të dëmshme për shëndetin, ka faktorë të tjerë psikologjikë që kanë një efekt të rëndësishëm në mirëqenien e një përsoni”, tha një nga studiuesit, Andrew Przybylski. /abcnews.al