Marrëveshja për klimën, migrantët, kujdesi shëndetësor – në këto fusha presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Joe Biden dëshiron të ndryshojë menjëherë politikën e tanishme, plane që kanë shkaktuar debate të shumta.
Presidenti i zgjedhur demokrat i SHBA-së, Joe Biden dëshiron të ndryshojë vendimet e Donald Trumpit, në ditën e parë të marrjes së detyrës së re në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne kemi plane të mëdha për ditën e parë,” tha shefi i shtabit të Biden, Ronald Klain. Këto përfshijnë kthimin në Marrëveshjen e Parisit, mbrojtjen për migrantët e rinj në SHBA dhe masat e sigurimit shëndetësor. Biden mund ta fillojë këtë pasi të marrë detyrën në 20 janar 2021.
Ndërsa Trump bëri të qartë se ai nuk e ka ndërmend të pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale. Republikani nënvizoi pretendimet e tij për manipulimin e zgjedhjeve dhe tha se do të vazhdojë luftën para gjykatave. Përveç kësaj, ekipi i Trumpit bëri të ditur se së shpejti do të ngrihen raste të tjera para gjykatave për mashtrime në zgjedhje. Këtë konfirmoi edhe vetë Trump në Twitter.
Në të njëjtën kohë, avokatët e presidentit Trump bën të ditur se një proces gjyqësor i demokratëve kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Pensilvania nuk ka dhënë ndonjë rezultat. Ata thonë se nuk janë dëshmuar të dhënat se ka pasur keqpërdorime nga vëzhguesit e Trumpit në zgjedhje. Njëkohësisht bën të ditur se do të kërkojnë që të anulohen qindra mijëra vota në Pensilvania.
Republikanët mendojnë se në Pensilvania ka pasur keqpërdorime që kanë ndihmuar fitoren e kandidatit demokrat Joe Biden. Biden ka fituar në Pensilvania 20 vota elektorale, që ka mundësuar fitoren e tij. Sipas rezultateve të publikuara së fundi, Biden ka fituar 306 vota elektorale, ndërsa per fitoren e postit të presidentit nevojiten 270 vota elektroale. Trumpi ka dështuar deri tani gati në të gjitha proceset para gjykatave, me pretendim manipulimin e zgjedhjeve.
Këshilltari i Trumpit për virusin Corona – kundër obligimit të mbajtjes së maskave
Gjendja me virusin Corona në SHBA vazhdon të jetë kritike. Ekspertët thonë se ajo ka dalë jashtë kontrollit. Të dielën është kaluar shifra prej 11 milionë të infektuar. Një milion raste të reja janë shënuar vetëm në gjashtë ditët e fundit. Shumë shtete federale në SHBA kanë ashpërsuar masat në fundjavë dhe kanë kërkuar të futet obligimi i mbajtjes së maskave, si dhe të mbyllen disa dyqane. Restorantet në Miçigen mund të shesin vetëm jashtë godinës, ndërsa ata që kanë mundësi duhet të punojnë nga shtëpia. Këshilltari i tanishëm i preferuar i Trumpit për virusin Corona, Scott Atlas, një radiolog, thotë se “virusi do të marrë fund kur njerëzit të dalin kundër.”
Qeveria e ardhshme e Bidenit do të forcojë disa masa kundër pandemisë, por me qëllim që të evitohet një lockdown i gjerë. “Ne duam të përdorim saktësinë e skalpelit, në vend të përdorimit të sëpatës”, tha Vivek Murthy, një nga ekspertët e ekipit të Biden për luftimin e pandemisë. Imunologu i njohur amerikan, Anthony Fauci tha se refuzimi i Trumpit të pranojë humbjen po e pengon edhe luftën kundër pandemisë Corona.
Ende nuk ka bashkëpunim me ekipin e Bidenit
Autoritetet e General Services Administration (GSA) ende nuk kanë dhënë dritën jeshile për bashkëpunim me ekipin e Bidenit, për të kaluar punët nga administrata e presidentit Tump, tek presidenti i ardhshëm. Zakonisht ekipit të presidentit të zgjedhur i mundësohet shpejtë qasja tek dokumentet, për të përgatitur kalimin e administrimit nga njëri tek presidenti tjetër. Ekipi i presidentit të ri së shpejti duhet të ketë qasje tek infrastruktura qeveritare dhe të përgatisë kalimin e pushtetit. Lejen për këtë e jep GSA. Por deri tani nuk ka ndonjë bashkëpunim. /DW