Nevil Dede është trajneri i ri i Tiranës. Kjo është hera e tretë që ish-mbrojtësi i njohur merr drejtimin e bardhebluve. 45-vjeçari u largua nga Shqipëria U19 pas një bisede me presidentin e FSHF-së dhe ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin kryeqytetas. Në prezantimin e tij para mediave, Dede prek disa tema, flet rreth objektivave që dihen, tregon se çfarë kërkon nga skuadra dhe e mbyll me një batutë.
“E rëndësishme është që ftesa erdhi në momentin e duhur nga presidenti Halili. Isha në një punë dhe projekt ku po punonim, kisha vite atje. Dua të falënderoj dhe të shpreh mirënjohje ndaj presidentit të FSHF-së, zotit Armand Duka, për hapësirën që më dha në angazhimet e mia në ekipet kombëtare të moshave, ku përveç kontributit që dhashë, edhe unë kam pasur arritjet e mia, profesionale por edhe si personalitet.
Dua të falënderoj stafet me të cilët kam punuar në ekipet kombëtare, stafin e FSHF-së dhe tani t’i kthehemi Tiranës. Kur të kërkon Tirana është e vështirë t’i thuash jo. Unë u riktheva në shtëpinë time, jam brenda ADN-së dhe me këtë imazh që kam, besoj t’i jap një mbështetje dhe që të rriten, sidomos të rinjve. Mbi të gjitha do të mendojmë për ekipin e parë dhe për të ardhmen sa më të mirë dhe të suksesshme.
E vërteta është që komunikimi ka qenë dje pasdite. Nuk e prisja kaq shpejt të jem i sinqertë. Tirana ka një grup shumë të mirë lojtarësh dhe kjo skuadër është ndërtuar për të vazhduar për të mbrojtur titullin. Ajo që ndodhi dje në ndeshjen e djeshme të Kupës më vuri në dilemë të madhe. Pata një komunikim direkt me presidentin e FSHF-së, pasi kisha një marrëdhënie kontraktuale me ata. Ai hapi rrugën dhe gjithçka u bë më e thjeshtë.
Çfarë nuk shkon te Tirana? Tiranë e kam ndjekur në ndeshje miqësore. Ndeshjet zyrtare i kam ndjekur në TV. Në Korçë mori tre pikë përballë Kukësit dhe humbi përballë Teutës. Çdo gjë do të vlejë në ditët në vazhdim. Edhe stafi do të mbushet nga dita e hënë. Do të prek vetë me dorë skuadrën dhe do të them që çfarë mund të bëjmë më mirë. E rëndësishme është të krijojmë një klimë të duhur pozitive dhe njerëzit të ndihen mirë, kështu ata mund të japin më të mirën e tyre. Bashkëpunimi është elementi kryesor që do kërkoja. Nuk do të centralizoj asgjë, do shpërndahet përgjegjësia në të gjithë stafin dhe në fund fare jam unë ai që do vendos dhe do jap llogari para presidentit dhe njerëzve që komandojnë Tiranën.
Objektivi është gjithmonë titulli kampion. Duhet të harrojmë që kemi dalë kampionë, duhet të mendojmë që duhet të dalim kampionë përsëri. Ne jemi Tirana dhe Tirana gjithmonë objektivin e ka të shkruar në ADN-në e saj. Nuk ka nevojë për objektiva, janë të shpallura në historinë kur ka lindur ky klub. Çdo gjë do të ecë në ditët në vijim. Kemi një punë të madhe përpara.
Përderisa pranoj të drejtoj Tiranën, është hera e tretë që e drejtoj Tiranën, e treta e vërteta, grupi është aty. Nuk e ndjej fare presionin e krahasimit me Egbo. Unë kam ardhur në një shtëpi ku bazat janë shumë të shëndetshme dhe shumë të forta. Po futem në këtë shtëpi sepse është e ndërtuar mirë. Falënderoj të gjithë stafet përkatëse përpara meje dhe i fundit që është Emanueli (Egbo). Profesioni ynë i trajnerëve ky është.
Kudo në çdo klub të botës, në çdo cikël, ka një fillim dhe një mbarim. E rëndësishme është që Tirana të jetë e qartë për atë që kërkon. Do mundohemi t’i bëjmë njerëzit të ndihen mirë. Klima është e duhur, por s’e mohoj dot faktin që stema e madhe dhe historia e këtij klubi, bën që të jetë më në qendër të vëmendjes. Te Tirana çdo gjë zien, edhe kur fiton zien, jo më kur nuk ka rezultate. Në momentin që rezultatet janë pozitive, shumë gjëra të tjera, jo se harrohen, por sfumohen nga suksesi. Vetë natyra njerëzore mendon pozitivisht, sepse shoqëria jonë nuk do të shihte gjëra të bukura nëse do të mendonte të gjitha hallet që ka kaluar në jetën e saj.
Historia është e thjeshtë, është një marrëdhënie kontraktuale. Çdokush nga ne, trajnerë apo lojtarë, mendon të japë më të mirën e tij kur firmos një kontratë, por nuk do të thotë që ai ka të drejtë apo po bën gabim. Kur ata që të ofrojnë kontratën e shohin të arsyeshme që ti do largohesh, këtu nuk ka qejfmbetje. Kam fatin që jam në fillim të sezonit akoma, është vetëm java e dytë. Më mbetet të falënderoj ata që kanë ngritur këtë punë dhe të vazhdoj punën e tyre. Kemi punë të madhe përpara. Kontrata ime është 2-vjeçare, projekti është i duhuri, kjo është një nga arsyet që më bindi ta shoh me qetësi dhe besim të madh.
Prioritetet? Në fund fare e rëndësishme është që Tirana të fitojë. Rëndësi ka që klubi të jetë i suksesshëm. Sa më shumë elementë që të vijnë nga akademia dhe të ndërthurën, kjo do të jetë idealja. Mbi të gjitha, unë jam rritur në shumë aspekte. Për herë të parë u bëra trajner i Tiranës 8 muaj pasi kisha lënë futbollin. Eksperienca ishte shumë pozitive, njeriu përmirëson veten nga viti në vit. E rëndësishme është të reflektosh dhe të shohësh gjërat pozitive që ke bërë, mbi të gjitha të përmirësosh gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën. E rëndësishme është bashkëpunimi dhe klima e duhur. Kush ha bukë do të bëjë edhe thërrime, e rëndësishme është sa thërrime do të bësh“, përfundon Nevil Dede. /abcnews.al