Së fundmi FSHF është angazhuar për të nxjerrë sa më shumë profesionistë dhe njerëz të aftë për të kontribuar në futboll dhe ka organizuar kurse të ndryshme, siç është ai i video-analistit dhe i përgatitësit atletik.
Ky i fundit është një nga rolet më të rëndësishëm në futboll, ndoshta më esenciali pas trajnerit. Për të marrë sa më shumë profesionalizëm, FSHF ka thirrur një profesor të vërtetë nga Italia, Luigi Febbrarin.
Ky i fundit nuk heziton edhe të marrë mendime nga figura të mëdha të sportit botëror dhe i radhës është Lionel Scaloni, trajneri i Argjentinës. Ai tregon rëndësinë e përgatitësit dhe ka një përshëndetje për të gjithë shqiptarët.
“U informova se së shpejti do të keni një kurs për përgatitësit atletikë në Shqipëri me mikun tim të mirë, Luigi Febrbrari. Dua të nënvizoj rëndësinë e përgatitësit atletik në futboll. Mendoj se me futbollin e sotëm, që është çdo ditë e më i shpejtë, me më shumë statistika, me shumë aspekte që përmirësohen apo aktualizohen ata bëhen çdo ditë e më shumë pjesë e rëndësishme e stafit.
Kështu që uroj të shkojë gjithçka mirë, e di që në Shqipëri po punohet shumë në këtë drejtim dhe është e rëndësishme që të nisë gjithçka nga baza, nga sektori i të rinjve nga fëmijët të punosh në këtë aspekt të futbollit është shumë e rëndësishme, thuajse në nivel teknik.
Një përshëndetje për të gjithaq shqiptarët. Kam miq nga Shqipëria si Igli Tare e Lorik Cana. Kalofshi bukur”, u shpreh Scaloni. /abcnews.al