Shqipëria dhe Vllaznia në qendër të vëmendjes. Kuqezinjtë luajnë nesër me Kosovën, ndërkohë që më 15 dhe 18 kanë në program përballjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Një ditë më parë FSHF komunikoi ndryshimet në listë.
Marsel Ismajlgeci dhe Erion Hoxhallari ishin risitë, pasi Trashi dhe Vrioni nuk mund të vinin dot. Kumbulla është lojtari i vetëm që shqetëson tani dhe në FSHF po mendojnë të bëjnë gjithçka që mbrojtësi i Romës të jetë nën urdhrat e trajnerit Reja për ndeshjet e Nations League.
Për shkak të rasteve pozitive me COVID-19 te Roma, Kumbulla dhe të gjithë lojtarët e skuadrës italiane duhet të qëndrojnë në izolim dhe vetëm të stërviten në bazë të protokollit sanitar të miratuar nga Komiteti Teknik Shkencor.
FSHF, që Kumbullën ta ketë në ekip për ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë është gati të shpenzojë para. Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, qeveria e futbollit në vend po përdor “kartën” çarter për të bindur autoritetet italiane që ta lënë mbrojtësin të lërë karantinën dhe të bashkohet me kombëtaren shqiptare.
VLLAZNIA – Abdurrahman Fangaj është afrimi i konfirmuar i Vllaznisë për në janar, ndërkohë që pritet të mos jetë i vetmi. Lëvizjet kanë nisur që tani dhe Elvir Maloku, sulmuesi anësor i lindur në Rijeka, pritet të jetë prurja e re.
Prej kohësh 24-vjeçari kishte diskutuar me drejtorin sportiv të Vllaznisë, Matko Djarmati, i cili kishet rënë dakord me Malokun që të vinte te Vllaznia që tani dhe të kapte formën deri në muajin janar. Sulmuesi anësor në të shkuarën ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Kroacisë, për të zgjedhur më pas Shqipërinë U21.
Fillimisht pjesë e Hajduk Split, Maloku pas tre sezonesh zgjodhi të transferohej në Spanjë. Gimanstic Tarragona ishte ekipi i tij në Segubda Division. Vetëm tre ndeshje në gjashtë muaj dhe më pas u huazua në Qipro tek AEK Larnaca dhe më pas te Aluminij në Slloveni.
Me këta të fundit mori minuta dhe vjet provoi një eksperiencë të re në ligën e dytë polake, ku u aktivizua tek Olimpia Grudziądz. 21 ndeshje (15 titullar) dhe një gol ishin bilanci i Malokut, të cilin pas mbylljes së merkatos e kanë propozuar në disa klube të Superiores dhe në Kosovë. /abcnews.al