Pacientët në radhë për t’u shtruar në Infektiv, Bardhi: Rama të lërë sulmet politike

schedule13:31 - 8 Nëntor, 2020

schedule 13:31 - 8 Nëntor, 2020

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i përgjigjet kryeministrit Edi Rama pas replikave të këtij të fundit me kryedemokratin Lulzim Basha me akuza të ndërsjella për përfshirjen në dosjen e Shtëpisë së Verdhë dhe situatën e krijuar nga koronavirusi. Bardhi sjell dëshminë e një qytetareje e cila pret jashtë kangjellave që i afërmi i saj të mund të shtrohet në spitalin Infektiv. Ai thotë se Rama nuk i fshihet dot përgjegjësisë për situatën e rënduar shëndetësore dhe mashtrime.

“Edi Rama nuk i fshihet dot përgjegjësisë për situatën e rënduar shëndetësore me mashtrime dhe sulme të pavërteta politike. Ai ka detyrimin t’u japë shpjegime familjarëve të pacientëve, që presin në ambulanca për të marrë shërbim shëndetësor. Situata në spitalet Covid është e rënduar dhe në rënie të lirë. Qytetarët po mbahen me orë në ambulanca në pritje për të siguruar një shtrat në spitalet e tejmbushura. Askush nuk sqaron dot pse nuk është hapur ende spitali COVID 4, që sipas mashtrimit të Edi Ramës ka muaj që është gati.

Ky është fakti, të cilin Edi Rama po përpiqet ta shmangë me retorikë boshe, mashtrime dhe shpifje të pavlera politike. Sot është dita të merren masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë. Është koha për përgjegjshmëri, përkushtim ndaj shëndetit të qytetarëve dhe seriozitet maksimal në menaxhimin e situatës, sepse nesër është shumë vonë. Dëshmia e sotme e një qytetareje në spitalin infektiv, e cila po pret prej disa orësh që bashkëshkorti të marrë ndihmën e parë. Ai ndodhet në ambulancë, pasi infektivi (COVID 1) nuk ka vende”, shkruan Bardhi.

“Më tha mos u mërzit se do e fus tani. Kanë tre orë e ca që pret. Në ambulancë është. I futën oksigjen. Nuk e di a ka vend. Do ta marrin tani tha sa t’i vijë radhë”, shprehet qytetarja./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!