Replikat/ Rama nuk i “ndahet” Bashës: Po pohon se je kujdestari i dosjes së Shtëpisë së Verdhë

schedule15:21 - 8 Nëntor, 2020

schedule 15:21 - 8 Nëntor, 2020

Kreu i qeverisë Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha kanë shkëmbyer replika në distancë. Basha bën përgjegjës Ramën për situatën e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri duke i kërkuar llogari se pse nuk e hap spitalin Covid 4. Nga ana tjetër kreu i qeverisë akuzon Bashën se ka marrë pjesë në përgatitjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë.

“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë!E thuaje cfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty!”, shkruan Rama.

Basha thotë se Rama nuk duhet të bëjë zëdhënësin e Beogradit por të mbajë përgjegjësi për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. “Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë”, shkruan Basha.

Pas 5 minutash ka ardhur sërish replika e kreut të qeverisë Edi Rama. “Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulēzim, thuaje të vërtetën!”, shkruan Rama.

Basha nga ana tjetër i kujton Ramës premtimet për shëndetësi falas e cila sipas tij rezultoi të ishte një gënjeshtër. “Cfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas- gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune-gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat – gënjeve. Premtove se do ulësh çmimin e energjisë – gënjeve. Po vjen dita të largohesh gënjeshtar. Është koha për një të ardhme të re për Shqipërinë!”, shkruan Basha.

Por Rama nuk heq dorë! Në replikë me kryedemokratin i rikthehet pikënisjes së debatit të tyre virtual. Ai thotë se sa më shumë i shmanget sqarimit për lidhjen me shpifesirën e Dick Marty, aq më shumë pohon se është kujdestari i dosjes së Shtëpisë së Verdhë

“Lulëzim! Sa më shumë i shmangesh sqarimit për lidhjen tende me shpifesirën e Dick Marty dhe rrekesh të fshihesh pas pllakëe së gramafonit të prishur, aq më shumë pohon se je kujdestari i dosjes së Shtëpisë së Verdhë dhe përkthyesi i maskuar i shqiptarëve tê marrë në pyetje! Fakti që nuk ke gjunj të përballesh as me pyetjen, pse e votoi PD-LSI raportin e Dick Marty kur ne e votuam kundër(?), tregon se ti as ke qenë, as je, as bëhesh dot lideri i opozitës, po mbetesh kukulla e Saliut, Ilirit dhe Monikës!”, përfundon Rama.|

REPLIKAT RAMA-BASHA

16:20: Basha 5 pyetje Ramës: Të sëmurët dergjen në ambulanca
Prej paradites vijojnë replikat në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit demokrat Lulzim Basha. Kreu i qeverisë e akuzon për “Shtëpinë e Verdhë” ndërsa kryedemokrati i kërkon shpjegime për situatë ku ndodhet vendi nga koronavirusi dhe të sëmurët dergjen në ambulanca. Në fund të replikës së radhës, Lulzim Basha thotë se do të fitojë zgjedhjet dhe shërojë plagët e vendit.

Të gjithë e kuptojnë se ti gënjen e shpif vetëm për të larguar vëmendjen nga pyetjet që ju interesojnë vërtet qytetarëve:Pse qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID si rezultat i dështimit tënd? Pse spitalet janë mbushur plot dhe të sëmurët dergjen në ambulanca dhe korridore? 

Pse e ke shkatërruar ekonominë? Pse nuk ju jep ndihmë financiare të prekurve nga COVID? Pse e ke mbyllur derën e BE? Shqiptarët kanë nevojë për një kryeministër që punon për ta e jo një klloun të dështuar si Rama.Bashkë do ti fitojmë zgjedhjet & do shërojmë plagët e hapura nga ai” shkruan Basha.

12:15 Basha pyet Ramën: Lëri lojërat, pse nuk e hap COVID 4? Të sëmurët po dergjen në ambulanca
Kryedemokrati Lulzim Basha i kërkon llogari kreut të qeverisë Edi Rama lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri. Ai thotë se Rama duhet të lërë shpifjet dhe lojërat politike pas deklaratës së këtij të fundit se Basha ka marrë pjesë ka përgatitur dosjen për Sajesën e Shtëpisë së Verdhë. 
Kreu i PD pyet Ramën se pse nuk është hapur ende spitali Covid 4 ndërkohë që të sëmurët dergjen në ambulanca sepse nuk ka vend për ta.“Edi Rama leri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi  shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, shkruan Basha.
11:17 Rama: Basha ka përgatitur dosjen për sajesën e Shtëpisë së Verdhë
Kreu i qeverisë Edi Rama ka përsëritur pyetjen ndaj presidentit Ilir Meta lidhur me votimin e raportit të Dick Martyt bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai i drejtohet kryedemokratit Lulzim Basha ku i kërkon sqarim për një dosje të sajesës së Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun që sipas Ramës thotë se Basha ka mbledhur dëshmitë bashkë me të.

“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”
, shkruan Rama. 
/mv.abcnews.al