Meta kthen në Kuvend ligjin për gjendjen civile: Krijon kaos në hartimin e listave të zgjedhësve

schedule12:04 - 8 Nëntor, 2020

schedule 12:04 - 8 Nëntor, 2020

Presidenti Ilir Meta ka kthyer ditën e sotme në Kuvend ligjin për gjendjen civile të propozuar nga deputetët e maxhorancës Blerina Gjylameti dhe Eljo Hysko.

Meta thotë se shkeljet e përmendura në këtë ligj kur nuk përbëjnë vepër penale janë në kundërvajtje administrative. Në arsyetimin e presidentit thuhet se këto ndryshime në këtë periudhë kohore krijojnë kaos në hartimin e listës së zgjedhësve, procesin e votimit dhe minon besueshmërinë e vetë procesit.

Ai shprehet se ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile nuk është në momentin e duhur dhe për pasojë do të ketë pasoja ligjore dhe politike.

“Duke dashur disiplinimin e kësaj kategorie sjelljeje të qytetarëve për një të dhënë kaq sensitive dhe të dosmosdoshme, Kuvendi pas adresimit të çështjes nga propozuesit dhe komisioni përkatës shqyrtues, duhet të gjejë rrugën e duhur për të shmangur përdorimin e ndryshimit të ligjit për qëllime të përfitimit politik të mazhorancës qeverisëse.

Një ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve  administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend.

Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zgjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike”, thuhet në arsyetimin e presidentit.

Kundërvajtjet administrative të cituara nga presidenti

Në kuptim të këtij ligji, shkeljet e përmendura më poshtë, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë:

a) shkelja ose mosrespektimi i dispozitave të parashikuara në nenin 19 pikat 1 dhe 2, në nenin 20 pika 1, në nenin 21 pikat 1 dhe 2, si dhe në nenin 52, 5 dhe 7 dënohet me gjobë në masën 3 000 lekë.

b) shkelja ose mosrespektimi i dispozitave të parashikuara në nenin 18 pikat 2 dhe 3, në nenin 20 pika 2, në nenin 41/1, pika 1, në nenin 52 pika 4 dënohet gjobë në masën 50 000 lekë.

c) shkelja ose moszbatimi i dispozitës së parashikuar në nenin 65 shkronja “g”, në nenin 66 pikat 2 dhe 3 dhe në nenin 68 pika 2 dhe 3 dënohet me gjobë në masën 50 000 lekë;

ç) shkelja ose mosrespektimi i dispozitës së përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, dënohet me gjobë, në masën 10 000 lekë, dhe me pezullim të shërbimit deri në vjeljen e gjobës, të cilën e vendos dhe e vjel nëpunësi i gjendjes civile.

Gjobat e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” të këtij neni vendosen nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, sipas njoftimit të ardhur nga zyrat e gjendjes civile. Kundër masës administrative mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve në institucionin e ministrit që mbulon gjendjen civile, i cili brenda 10 ditëve duhet të shprehet për këtë masë. Kundër vendimit të ministrit mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.

Masat administrative të gjobës, të cilat nuk ankimohen brenda afatit, si dhe ato të cilat lihen në fuqi me vendim gjyqësor të formës së prerë, janë titull ekzekutiv dhe ngarkohen zyrat përmbarimore për ekzekutimin e tyre.”/mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!